Prodhuesit me përparësi të energjisë ku përfshihen të gjithë hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15 MW i kanë kursyer shtetit këtë vit nga energjia që kanë dhënë në rrjet 250 milionë euro. Shifrat e raportuara për 8 mujorin nga kompanitë publike të energjisë i klasifikojnë prodhuesit me përparësi të energjisë në dy grupe: ata të lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe ata të lidhur në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Të parët kanë hedhur në rrjet gjatë janar-gusht 606,203 MWh energji ndërsa të dytët 748,785 MWh.

Aktualisht energjinë e tyre e ble kompania publike e shpërndarjes me një çmim të miratuar nga Enti sipas formulës : Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kËh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.2 X normën mesatare të këmbimit në Euro/Lekë për vitin e fundit.

Për vitin 2023 ky çmim parashikohet të jetë dukshëm më i lartë sesa aktualisht pasi një nga treguesit e bursës pritet që të ndryshojë në mënyrë të dukshme dhe që është çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë i energjisë elektrike në profilin bandë.

Për vitin 2022 ky çmim ishte 8.5652/kWh lekë çka do të thotë se sasia e energjisë që është dhënë në rrjet nga Prodhuesit me Përparësi të Energjisë në 8 muaj është paguar nga OSHEE me një vlerë totale prej 100 milionë euro.

Në dokumentet e fundit të KESH dhe FSHU teksa diskutohej vendosja e fashës 800 Kwh për familjarët një ndër pikat që parashtrohej ishte ajo e kostos së energjisë në tregun e lirë në 6 muajt e parë të vitit por edhe parashikimi në vijim ku pavarësisht luhatjeve me ditë, mesatarisht 1 kWh energji ka kushtuar 30 lekë/KWh. Nëse të njëjtën sasi energjie OSHEE do ta siguronte me çmim tregu atëherë kostoja e blerjes do të ishte 350 milionë euro pra 250 milionë euro më shumë që tashmë janë kursyer.

Ndërkohë që HEC-et e vegjël që në kohë normaliteti dhe pa krizën e energjisë kishin një çmim më të lartë se tregu sipas kontratave duket se tashmë me krizën kanë parë një mundësi për të dalë në treg të lirë. Pranë institucioneve janë paraqitur disa kërkesa nga subjekte të ndryshme për të dalë nga marrëveshja me shtetin por vendosja e gjendjes së emergjencës e cila është zgjatur me një vendim të fundit të qeverisë deri në mes të vitit të ardhshëm e komplikon pak situatën.

Vendimit nr.584, datë 8.10.2021 i Këshillit të Ministrave, të ndryshuar që parashikonte situatën e emergjencës i është shtuar një pikë të re ku përcaktohet “vendosja e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”.

Vendosja e shërbimit të detyrimit publik i bën këto subjekte më të varura në vendimmarrje për hapat që mund të hedhin pasi me ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” në raste emergjente qeveria ka të drejtë të marrë masa shtesë. Gjithsesi për çdo rast kur vendosja e detyrimit të shërbimit publik sjell kosto shtesë ligji parashikon se kjo vlerësohet nga Ministria e Financave dhe ERE, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë dhe Komitetit për Emergjencat Civile, kompensohet nga Buxheti i Shtetit./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: