Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Energjetika, një nga sektorët më të rëndësishëm në Shqipëri për nga investimet dhe shumë tërheqëse për investitorët e huaj, ka nevojë për rregulla të qarta dhe një kuadër ligjor të mirëpërcaktuar. Kjo është kërkesa kryesore e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, e cila përbën 95% të prodhuesve privatë të energjisë.
Në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese kreu i kësaj shoqate, italiani Giordano Gorini tha se sektori i energjisë është në prag falimentimi, por nuk janë prodhuesit privatë shkaktarë të kësaj situate.
“Eshtë e dukshme se problemi i sotëm i sektorit të energjisë nuk qëndron te prodhuesit privatë të energjisë, të cilët investojnë paratë e tyre e hyjnë në detyrime me bankat, që punësojnë personel në zonat e thella, larg qyteteve kryesore, ku jeta është e vështirë dhe nuk ka fabrika që të paguajnë rregullisht taksat”- deklaroi Gorini president i AREA.
Investitorët kërkojnë ndryshime ligjore, pasi ligji aktual krijon një pasiguri juridike për prodhuesit.
“Në një rast të një privatizimi të ardhshëm të KESH-it, të ndryshimit të roleve, të një model tregu të ri, të cilin nuk e njohim, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me këto kontrata 15-vjeçare dhe nuk e dimë se çdo të ndodhë në të ardhmen.”- u shpreh Flonja Tashko, avokate e AREA.
“Duke pasur përvojën e deritashme se çfarë ka ndodhur, qoftë me historikun e HEC-eve, qoftë me privatizimin e OSHEE-së përpara, kërkojmë që me një ligj të veçantë, që duhet miratuar me shumicë të cilësuar, kompanitë publike, KESH, OST dhe OSHEE të mos i nënshtrohen privatizimit klasik. Kjo i jep mundësi të gjithë lojtarëve, edhe industrisë, bizneseve, kompanive publike por edhe prodhuesve të tjerë që janë këtu të jenë më të qëndrueshëm në bërjen e skemave të biznesit.”- u shpreh Gjergj Buxhuku, president i Konfindustria.
Por ajo që shqetëson më shumë prodhuesit privatë të hidrocentraleve janë marrëdhëniet me ministrinë e Energjetikës. Ata kërkojnë gjetjen e një marrëveshjeje për një çmim më të arsyeshëm për shitjen e energjisë. Sipas tyre, OSHEE duhet ta blejë energjinë nga prodhuesit e vegjël dhe jo ta importojë atë nga jashtë me një çmim shumë herë më të lartë.
Investimet e realizuara deri më sot në sektorin e energjisë nga HEC-et private janë rreth 500 milionë euro.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: