EDITORIAL
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha se drejtësia në Kosovë do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj një shkrimi të autorit me prejardhje nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, Chuck Sudetic, i cili akuzoi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se siç thuhet, po e rrezikon të gjithë Kosovën për të shmangur përballjen e mundshme me Gjykatën e Posaçme. Në një tekst me titullin “Banditët që e drejtojnë Kosovën”, ai shkruan se Hashim Thaçi po e mashtron Amerikën dhe Evropën, duke bërë thirrje që të votohet Gjykata e Posaçme për krime lufte, por qëllimisht i ka nxitur disa prej deputetëve që ta bllokojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj. Ai citon diplomatë e ish-diplomatë perëndimorë pa i identifikuar ata, të kenë folur për pasojat që do të ketë Kosova nëse nuk e themelon gjykatën. Ai citon një ish-diplomat të ketë thënë se krimi i organizuar në Kosovë, përfshinë transportim të paligjshëm të drogave, trafikim me njerëz, kontrabandë me mallra, trafikim të grave dhe prostitucion, shpëlarje parash, trafikim organesh etj. Sipas tij, nëntoka e Kosovës punon bashkë me grupe kriminale në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Shqipëri. Gazetari Sudetic është bashkautor i librit “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, në të cilin ajo ngrinte pretendime për përfshirje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Ligjvënësi Eliot Engel tha se shkrimi i gazetarit Sudetic, “i mbështetur në kërcënime e shantazhe anonime, thashetheme të pabaza dhe gënjeshtra të qarta dhe të ndyta, përbën një përpjekje transparente për t’i njollosur dhe diskredituar disa udhëheqës të Kosovës dhe për të minuar shtetin e ri, i cili po punon drejt forcimit të sundimit të së drejtës. Shumë nga akuzat në këtë artikull, të tilla si trafikimi i drogës, janë demaskuar për të satën herë, madje edhe nga CIA, në raportin publik të vitit 2000. Drejtësia do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve”, tha Engel.
“Ne amerikanët e dimë nga vetë historia jonë se ndërtimi i demokracisë ishte diçka e vështirë, që kërkon një punë me përkushtim të madh. Kosova po i tejkalon këto sfida tani, edhe pse zërat e mbërthyer nga e shkuara po punojnë për të minuar përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe kampionët e lirisë në Evropë dhe gjetiu duhet të vazhdojnë të mbështesin Kosovën. Derisa shpifësit si Chuck Sudetic përsërisin të njëjtat pretendime të pabazuara, parapëlqej të punoj krah për krah me qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e zgjedhur të tyre, drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme”, thotë zoti Engel. Shpifje, e ka cilësuar shkrimin edhe Daniel Serwer, profesor në Shkollën Johns Hopkins për Studimet e Avancuara Ndërkombëtare në Uashington. Në një bisedë për “Zërin e Amerikës”, ai tha se nuk sheh “ndonjë provë për këtë vlerësim  në artikullin e tij, përveç personave të paidentifikuar dhe nuk mund të flas me siguri për burime pa emër”. Zoti Serwer beson në përkushtimin e Kosovës për të ngritur Gjykatën e Posaçme, me gjithë vështirësinë për ta bërë një gjë të tillë. “Nuk kam folur me ministrin e Jashtëm Thaçi gjatë muajve të fundit, që nga vizita e tij disa muaj më parë. Por ai ka bërë deklarata shumë të fuqishme në parlament si dhe për mediat, lidhur me nevojën e krijimit të kësaj gjykate. A është e mundur që ai në prapaskenë të jetë duke e penguar ngritjen e gjykatës? Shumica e politikanëve në Ballkan janë të aftë për gjëra të tilla. Nuk mund të them jo. Por mendoj se është me rëndësi të kuptohet që zoti Thaçi e ka mbështetur publikisht dhe me forcë krijimin e kësaj gjykate. Mendoj se për disa motive mjaft të arsyeshme, të gjitha këto akuza nuk do të sqarohen dot pa u shqyrtuar në një gjykatë të përshtatshme”, tha ai. Shkrimi i gazetarit Sudetic, që nxiti reagime edhe në Kosovë, nga disa vëzhgues të pavarur shihet si një formë trysnie për përshpejtimin e procesit të ngritjes së gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Opozita po bën thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse. Zyrtarët perëndimorë pohojnë se gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri. Qeveria po pret të sigurojë votat e mjaftueshme para se të ridërgojë në parlament ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare. Më 26 qershor, parlamenti dështoi të sigurojë këtë shumicë.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: