TIRANE- Mes dhimbjes për humbjen e babait dhe një viti të suksesshëm, Eni Çobani ka mbyllur këtë sezon “Shihemi në gjyq”. Prej disa vitesh tashmë publiku është mësuar ta identifikojë ndërmjetësen me çelësin e zgjidhjes së shumë problemeve që kanë. Vetë Eni shprehet për “Summer Pages” që formula e suksesit të këtij formati është pikërisht te gjetja e një gjuhe të përbashkët, edhe përgjatë transmetimit, ose si ndryshe e quan: një familje të madhe. Nuk e ka menduar ende “Shihemi në gjyq” veçmas spektaklit “E Diela Shqiptare”, edhe pse ideja i duket intriguese. E veçmas femrës sharmante dhe të fortë që shihni çdo të diel në emision, ajo na rrëfen një copëz tjetër të sajën. Gruan që preket ndaj padrejtësive dhe nënën, që çdo natë i kërkon të birit falje për mungesën e gjatë.
Si ka qenë ky sezon për Eni Çobanin?
Një vit shumë impenjativ, me shumë surpriza, dhe gjithashtu me disa zgjidhje të jashtëzakonshme. Ky do të ishte viti me pak fjalë, se në qoftë se do ta përshkruanim të gjithë vitin, s’do dilte një intervistë (qesh).
Një vit i suksesshëm në karrierën tuaj, por edhe i dhimbshëm, pasi keni humbur babain tuaj…
Ju falënderoj shumë për pyetjen dhe nëpërmjet jush falënderoj të gjithë kolegët tuaj në media, të cilët kanë treguar një sensibilitet të madh në këtë moment humbjeje dhe dhimbjeje të madhe në jetën time. Ai nuk ishte vetëm babai; ai ishte shoku, bashkëpunëtori, frymëzimi si dhe burimi i një devotshmërie të jashtëzakonshme të edukuar prej tij, që unë jam munduar që me punë dhe përpjekje ta kthej në një rezultante pozitive për të gjithë. Nëse do flisja për Hysenin, fjalët nuk do të reshtnin kurrë dhe kam qenë në një dilemë të madhe për daljen time atë javë në transmetim, por duke biseduar me bashkëpunëtorin tim tashmë të ngushtë, z.Gjebrea, ne gjykuam që ndërprerja do iu sillte thjesht një mungesë teleshikuesve që janë ndjekës të rregullt të kësaj rubrike. Ku në fund të saj, u bë dhe një sqarim rreth ngjarjes së rëndë që më kishte ndodhur ato ditë.
Si nis një ditë e zakonshme e juaja?
Me kafen e mëngjesit, duke parë axhendën e ditës që është tejet e ngarkuar, si dhe me takimet që në daljen sapo nga shtëpia, me njerëz që të rrethojnë me dashuri dhe respekt.
A mendoni se ekrani është vetëm për femrat e bukura; sa ju ka ndihmuar pamja e jashtme në jetë?
Televizioni është një vend në të cilin njerëzit duhet të transmetojnë në radhë të parë mençuri, por edhe pamja ka rolin e vet, dhe në këtë mënyrë s’dua t’i ul vlerën pamjes fizike, por ajo nuk duhet të jetë primare. Duke i dhënë rëndësi asaj, ne humbasim përmbajtjen, pa të cilën televizioni nuk do të kishte kuptim. A më ka ndihmuar mua pamja në jetën time? Unë e kam thënë shpesh, po e përsëris edhe këtu te ju, që bukuria është një element relativ, disi edhe subjektiv, ku për disa je i pashëm ndërsa për disa nuk je, ndërkohë që emëruesi i përbashkët i këtyre dy pjesëve është, besoj, padyshim, puna dhe përpjekja që ata shohin nëpërmjet Enit zgjidhjen e problemeve. Pra televizioni është më shumë përmbajtje, edhe pak element fizik, e cila do të ndihmonte performancën e gjithsecilit për të qenë të pranueshëm për teleshikuesin.
Si reagoni ju teksa shikoni që nxehen gjakrat në transmetim?
Me qetësi, dashuri dhe protagonizëm të lartë. Ky për mua është çelësi i komunikimit qytetar dhe uljes së gjakrave të shqiptarëve.
E keni menduar ndonjëherë “Shihemi në gjyq” jashtë “E Diela Shqiptare”?
Sigurisht, kjo është një pyetje shumë intriguese dhe nuk jeni e para që pyesni, por unë po ju përgjigjem juve për herë të parë publikisht. “E Diela Shqiptare” është vendi ku lindi dhe u rrit kjo rubrikë, ku nëpërmjet një partneriteti dhe bashkëpunimi ideal në vite çdo gjë përcillet me pozitivitet. Vazhdimi tanimë nuk është ezixhencë e jona, po e shqiptarëve, dhe për sa kohë ata e kërkojnë, ajo do të jetë aty për ta. Ky është për ne prioritet, zgjidhja e problemeve dhe qetësimi i shqiptarëve.
Ka ndodhur të kërcënoheni nga puna që bëni?
Jo, përkundrazi, kam gjetur bashkëpunimin dhe dëshirën më pozitive nga të gjitha organet respektive, ku hyjnë gjykata dhe prokuroria, dhe as mund të mendohet që ndërmjetësimi që ne kryejmë të jetë gjenerim konflikti. Në fakt, ajo është vetëm zbutje e shumë situatave të egra në mes njerëzve.
A mendoni se Eni Çobani bën një punë më të madhe dhe më humane sesa gjykatat shqiptare?
Unë nuk bëj punë që të krahasohem me të tjerë, por mundohem që brenda asaj që bëj të kem si prioritet humanizmin, dashurinë ndaj njerëzve, qëndrimin afër tyre, duke u bërë pjesë e problematikës, gjë që sigurisht më bën mua në shumë raste çelësin e zgjidhjeve të tyre. Por në asnjë moment nuk duhet menduar që gjykata dhe prokuroria nuk kanë përkushtimin e duhur ndaj zgjidhjes së problemeve. Përkundrazi, duhet parë ky realitet në sy, ku puna e këtyre dy organeve është shumë voluminoze dhe qytetarët, duke përfshirë këtu dhe veten, kërkojnë me shumë përulësi rritjen e cilësisë së vendimeve të marra prej tyre. Unë nuk jam veçse një hallkë e zinxhirit të gjatë të sistemit të drejtësisë, që mundohem që duke implementuar ndërmjetësimin të ul në maksimum numrin e rasteve pa shkuar nëgjykatë.
Në jetën e përditshme, a ju prekin padrejtësitë e vogla?
Patjetër që po! Edhe unë si qytetare e këtij vendi, hera-herës përjetoj ngjarje të jetës së përditshme që kanë të bëjnë me mungesa elementare, të cilat të japin një ndjesi jo të mirë. Që kur dita fillon e në vazhdim. Dhe reagimi ka qenë i natyrshëm, shpeshherë edhe me tone të ashpra, sepse s’mund të pranoj që sot në 2015-ën ne të kemi mungesa të ujit, të dritës, dhe si pasojë ndjen një mungesë totale të dinjitetit njerëzor.
Si reagoni ndaj thashethemeve; a keni dëgjuar diçka për veten që ju ka lënduar?
Edhe unë, sigurisht jam pjesë e këtij realiteti, ku nuk mbetem pas nga interpretimet hera-herës të njerëzve të cilët nuk i shikojnë gjërat me sy pozitiv. Nuk është se më shqetëson, sepse përderisa ke pranuar të jesh njeri publik, kjo ka brenda edhe kostot e opinioneve që jo çdo herë ti pret.
Eni si nënë, sa i përkushtoheni djalit tuaj?
Aldi është dashuria e jetës sime, është motivi i çdo mëngjesi, i çdo dite, që vazhdon dhe që përmbyllet me përqafimin e ngrohtë të mbrëmjes. Kush është nënë, më mirëkupton, që për fëmijën njeriu bën sakrifica nga më të mëdhatë. Ky angazhimi im prej disa kohësh më ka privuar nga qëndrimi gjatë pranë Aldit dhe kjo më bën hera-herës të jem shumë e lidhur telefonikisht me të, saqë mendoj që e teproj. Sa e mirë dhe e vlefshme do të jem unë për të, do të jetë Aldi ai që do ta thotë. Por unë çdo mbrëmje i kërkoj ndjesë për mungesën time dhe i premtoj rikuperim, por me sa shoh, kjo mbetet vetëm në periudhat e pushimeve verore, që të jetë ashtu e plotë dhe pa ngarkesa pune.
Do të dëshironit që të ndiqte hapat tuaj në të ardhmen?
Patjetër, si çdo prind që investon në karrierën e tij e pretendon minimalisht që ta lërë këtë trashëgim te fëmijët. Nuk do ta imponoj në asnjë moment zgjedhjen e tij, por shpeshherë ia vë përpara dhe alternativën e qenies pjesë të aktivitetit tim. Më ndjek vazhdimisht në daljet e mia publike, është me mua prezent aty pas kuintave dhe them që edhe kjo është një formë edukimi dhe kulture, që atij t’i inspiroj dëshirën që të vazhdojë në gjurmët e mia, por megjithatë zgjedhja është e tij.
Ku do të pushojë Eni këtë verë?
Si zakonisht në jug të Shqipërisë, pasi atje kam vite që pushoj dhe jam ndjerë mirë, por nuk përjashtohet dhe një lëvizje e shkurtër jashtë vendit.
Si e shikoni turizmin shqiptar, çfarë i mungon?
Për mendimin tim, turizmi shqiptar ka shumë për të rregulluar. Së pari do të veçoja organizimin dhe shërbimin, i cili akoma lë për të dëshiruar në shumë ambiente publike, kudo ku sot zhvillohet turizëm në vendin tonë, dhe ndërkohë elementët bazë si uji dhe dritat mungojnë në mënyrë të përhershme. Boll të përmendesh vetëm këtë fakt; ky lloj turizmi nuk të lë shije pozitive.

(ma.ar/SummerPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: