TIRANE – Është përmbyllur të shtunën në mbrëmje me sukses, edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar “Maria Kraja”. Një produksion i cili në këtë përvjetor, solli përgjatë dy netëve madhështinë e muzikës më të mirë botërore.

Në natën finale, nën moderimin e producentes Zana Çela, 8 këngëtarë finalistë për garën e arieve u ngjitën në skenë, duke dhuruar një mbrëmje magjike për të gjithë të pranishmit që kishin mbushur sallën e TKOB.

Çmimet
Në një mbrëmje plot emocion, juria ndërkombëtare e kryesuar nga z. Stephen Langridge, drejtor i Operës së Godeborgut- Suedi, shpalli fituese të edicionit të 15-të “Marie Kraja” këngëtaren nga Shqipëria, 24-vjeçaren Enkeleda Kamani. Në vendin e dytë u rendit Elisabeth Bailey, soprano nga Anglia. Ndërsa çmimi i tretë shkoi për dy konkurrente, Anna Stylianaki nga Greqia dhe Federica Vitali nga Italia. Ndërkohë, për garën e këngës, çmimin e së cilës e zgjedh orkestra e TKOB, fitues doli tenori spanjoll Hector Garsia.

Nata finale nisi me vetëm 8 këngëtarë që arritën të kualifikoheshin. Gara e parë që erdhi përpara publikut ishte ajo e arieve. Nën dirigjimin e dirigjentit Leonardo Quatrini dhe shoqërimin e instrumentistëve virtuozë të Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit, në natën finale u ngjitën në skenë 8 finalistë, për që sollën një udhëtim unik nëpër operat më të famshme të tre shekujve. Arie si ajo e Salome nga “Heroidate”, “Cavaradosit” nga “Toska”, aria e Nemorinos “Eliksiri i dashurisë”, aria e Berberit nga “Berberi i Sevilies”, vibruan në sallë duke emocionuar spektatorët. Pas përfundimit të garës së aries, juria ndërkombëtare u mblodh për të vendosur cilët do të ishin fituesit.

Gara e këngëve
Pas emocioneve intense dhe gjendjes sublime që vetëm opera mund të të krijojë, të tjera emocione falën dhe këngë-legjendë. Atmosferë nga e gjithë bota, duke udhëtuar në të gjithë botën, në sallën e TOKB erdhën përjetimet nostalgjike si “Mbrëmjet e Moskës”, apo shija franceze në “La vie en rose”, magjia e zarzuelave spanjolle, apo dhe alegria e këngëve napolitane me “O surdato namurato”.

Surprizat
Një surprizë ishte menduar për publikun në sallë. Notat e valsit të famshëm “Waltz with me”, ngjiti në skenë tenorin e njohur Kastriot Tusha përkrah moderatores Zana Çela, së bashku me të gjithë konkurrentët.

Në dy net, festivali solli në Tiranë jo vetëm ariet margaritare dhe këngët më të famshme të repertorit botëror, por dhe yjet e rinj të skenës operistike. Për dy net, edicioni i 15-të i këtij festivali solli për publikun shqiptar magjinë e muzikës më të mirë botërore, duke mbushur përplot sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb