Gjatë Komisonit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ditën e sotme ka pasur një mosmarrëveshje brenda palëve të opozitës, konkretisht mes bashkëkryetarit të komisionit dhe njëkohësisht kreut të Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeajt dhe deputetit të Partisë së Lirisë Petrit Vasilit.

Vasili ka kërkuar që seanca e sotme në komision të shtyhet për ditën e mërkurë për shkak të vonesës së dërgimit të materialit për ekspertët nga eksperti i Partisë Demokratike, duke i bërë thirrje Alibeajt që “të vërë arsyen në punë”, kërkesë së cilës Alibeaj i është përgjigjur duke e refuzuar dhe duke shtuar se opozita nuk duhet të ketë diskutime të tilla dhe se ata duhet të veprojnë “një orë e më parë”, ndërsa ka shtuar se “ata të mazhorancës e kanë në terezi”.

Sakaq, bashkëkryetari tjetër i komisionit Damian Gjiknuri ka propozuar prezantimin e punës së ekspertit të PD ditën e sotme dhe zhvillimin e diskutimit një ditë tjetër.

Vasili:

O Enkelejd vër arsyen në punë. Anëtaret e komisionit në të majtë e të djathtë kanë marrë materialin në orën 9 e gjysmë. Mos vazhdo kot se nuk ka logjikë, unë do ta bëj publike këtë. Lëri këto muhabete, janë histori fshati. Kjo është tallje me kodin zgjedhor. Nëse ke në mendje një qëndrim qesharak të opozitës kjo është puna jote, koha nuk është e mjaftueshme për asnjë ekspert që të analizojë materialin siç duhet. Materiali duhet minimalisht dy ditë më parë, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Gjiknuri:

Vasili kam një sugjerim, ta ndërpresim këtë seancë këtu, le ta shtyjmë prezantimin të mërkurën. Prirem nga kompromisi, ne si bashkëkryetarë duhet të ruajmë ekuilibrat. Një gjë duhet ta themi. një shqetësim ka këtu, prezantimi është dërguar ditë më parë te drafti dhe ka qenë i dakordësuar, puna e ekspertit të PD është dërguar në minutat e fundit, nuk do ishte normale, ky komision nuk është  për audiencë. Për hir të ekuilibrit po i jap mundësinë të bëhet prezantim por pa caktuar datë për diskutim. Le të bëhen prezantimet, por si rregull kjo nuk duhet të ndodhë më, materialet duhet të vihen në dispozicion minimumi 48 orë më parë.

Alibeaj:

Rendi i ditës është i përcaktuar, ekspertët kanë punuar, kanë pasur kohën për të reaguar, doni ta ktheni në lojë politike, eksperti ynë të prezantojë materialin që ka, të mërkurën të mblidhemi e të shqyrtojmë. Ta them dhe një gjë tjetër, në telefonin tim do doja të kisha materialin e të gjithëve edhe të zonjës Caka dhe të tjerëve, se vetëm në ketë mënyrë funksionon, unë dua të ecim shpejt, këta e kanë në terezi, opozita duhet të ecë një orë e më parë. Materiali i ekspertit të PD u është shpërndarë të gjithëve. Pak rëndësi ka kur ka ardhur. Duhet të vazhdojmë shpejt, kaq pak jam duke thënë. Ndryshimet që duhen bërë janë masive. Do punë, hajde të punojmë. Etiketimet është mirë t’i tërhiqni. Unë dua të respektoj punën e ekspertit tonë. Këto historitë erdhi në mëngjes apo jo ne të opozitës nuk duhet t’i zhvillojmë. Këtyre kolegëve të opozitës që thonë nuk kemi kohë, nuk e pranoj. Unë nuk bëj kompromis për punën, prezantimin do e dëgjojmë sot, do zhvillojmë një mbledhje, do bëj propozimin tim që për këtë punë që është bërë, të mërkurën ky komision të diskutojë dhe të votojë siç mendon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb