Nga FATMIRA NIKOLLI*

Një rrëfim për tetë CD që përmbledhin në vetvete “Klasikët muzikorë shqiptarë”, fillimet e regjistrimit të muzikës shqiptare e mandej një histori e saj në dy shekuj. Dirigjenti Eno Koço tregon punën e nisur më 1979 dhe disa propozime për Orkestrën e RTSh-së.

Para disa kohësh promovuat një seri CD-sh me Orkestrën Simfonike të RTSH. Ç’përmbajnë këto CD?

Për të ardhur deri në prodhimin e këtyre CD-ve ka qenë një rrugëtim i gjatë, i ndërlikuar dhe i shpenzueshëm. I gjatë – pasi regjistrimet e para që tashmë janë kthyer në CD nisën që më 1979 me iniciativën e tenorit, Gaqo Çako, dhe që vazhduan me veprat klasike shqiptare të kompozitorëve të gjysmës së parë të shekullit XX e që pasuan me të tjera vepra simfonike, instrumentale e vokale. I ndërlikuar – pasi në momente të caktuara gjatë regjimit totalitar, regjistrimet me këngëtarë lirikë nuk inkurajoheshin me repertor të huaj e aq më tepër të këndoheshin në gjuhët origjinale të kompozitorëve operistikë. I shpenzueshëm – pasi për secilin nga këto disqe janë dashur të ardhura të konsiderueshme të cilat janë siguruar me vështirësi nga ndonjë sponsorizim dhe një pjesë tjetër të mbuluar nga buxheti personal i autorit të këtyre CD-ve.

“Klasikë Muzikorë Shqiptarë”; pse ky emërtim?
Seria “Klasikë Muzikorë Shqiptarë” emërtimin e mori në fakt nga disku i parë i këtij cikli, i cili përfshinte katër kompozitorë të para-Luftës së Dytë Botërore, Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu dhe Fan Noli, dhe që u emetua në Petërburg me shoqërinë “Kailas” më 2005. Arsyeja për këtë emërtim ishte se personi (Igor Wojewodski) që mori përsipër prodhimin e kësaj CD-je u zhgënjye nga ajo që kishte lexuar në Enciklopedinë Sovjetike, se “nuk ekzistonte muzikë akademike shqiptare të periudhës së para-Luftës”, kësisoj ai donte të provonte pikërisht të kundërtën me fakte konkrete, gjë të cilën e bëri.

Ndërmjetësoi me shoqërinë “Kailas” për prodhimin e diskut dhe në proces e sipër e pashë të arsyeshme ta emërtoja “Klasikë Muzikorë Shqiptarë”, pasi të katër kompozitorët e mësipërm janë në të vërtetë klasikët apo nga të parët e muzikës artistike shqiptare. Të teta disqet e serisë janë të shoqëruara me broshura (libërtha) individuale për secilin disk, që shpjegojnë në formë studimore përmbajtjen e CD-ve, d.m.th. bëjnë analizën e veprave dhe japin biografi të shkurtra të kompozitorëve e të interpretuesve. Në përkthimin anglisht të broshurës (gjashtë nga tetë CD-të kanë edhe variantin anglisht të tekstit) emërtimi “Klasikë Muzikorë Shqiptarë”, KMSH, do të bëhej “Albanian Music Classics”, AMC, iniciale që do të krijonin një farë ngatërrese të vogël!

Sa u shërbejnë këto shqiptarëve?
Industria e disqeve në botë është industri që i ka kaluar të njëqind vjetët. Falë disqeve me muzikë shqiptare, ku përfshihen regjistrime në celuloid, vinil dhe disqet 78 rpm, të shtrira edhe këto në mbi njëqind vjet, ne kemi të dokumentuar historinë tonë muzikore, atë që identifikohet me krahinat e ndryshme të vendit, pra atë gjithëpërfshirëse shqiptare. Po përmend vetëm disa momente. Himni i flamurit është i regjistruar në disa variante, duke nisur nga ai më i pari i bërë në ShBA më 1918 pranë shoqërisë diskografike “Columbia” dhe më pas nga ai që do të regjistrohej më 1923 përsëri në ShBA, kënduar nga Spiridon Ilo dhe shoqëruar nga Banda “Vatra”. Do të vijojnë të tjera incizime të himnit bërë nga grupe e këngëtarë të ndryshëm të cilët kanë bërë historinë e himnit tonë. Pikërisht falë regjistrimeve, të këtij procesi të domosdoshëm për fiksimin e memories muzikore të kombit, do të vinte albumi i mrekullueshëm i Neço Mukos, me këngë vendçe, këngë patriotike, këngë të lehta dhe parodi, të bëra këto në Paris më 1929 dhe 1930.

Regjistrimet e gjermanit Paul Traeger në cilindra dylli që më 1903 me këngë tradicionale të Shqipërisë së Veriut, regjistrimet e familjes Leskoviku të kabave të Jugut që në fillim të shekullit XX, përfshirja e firmave diskografike të huaja si “Columbia”, “Odeon”, “Mi-Re Rekord”, “Albanian Phonograph Records”, “His Master’s Voice” etj., regjistrimet e Kristaq Antoniut e Tefta Tashko-Koços me kompaninë “Columbia” në Milano, e gjithë kjo botë regjistrimesh ishin ato që më kanë shoqëruar që në fëmijëri. Disa nga këto disqe me regjistrime të nënës sime i kam pasur dhe vazhdoj t’i kem edhe sot në shtëpi. Duke i dëgjuar vazhdimisht ato, fillimisht me gramafonët e kohës, ato me gjilpërë, imazhi sonor, ai i tingëllimit, u bë për mua imazhi më enigmatik, më kureshtar, më tërheqës, imazh që do ta gjurmoja një jetë të tërë dhe që u mishërua në qenien time.

Ku qëndron vlera e këtyre regjistrimeve dhe e CD-ve për publikun shqiptar?
Vlera mendoj është shumëpalëshe. E para, regjistrimet e bëra prej kohësh duke u kthyer në ruajtje me anë të teknologjive moderne dhe për më tepër edhe në CD shpëtohen nga dekompozimi i tyre, pasi lagështia, temperatura ku ato mbahen, çmanjetizimi i shiritave, cilësia e materialit të hershëm sonor (vinili), këto e të tjera bëjnë që të humbasë ndjeshëm tingëllimi origjinal i kohës kur këto regjistrime janë kryer; e dyta, vetë procesi i masterizimit bën që tingulli instrumental dhe zëri i njeriut të përmirësohet, bën që të zgjerohet gama e frekuencave (të vendoset një raport i ri midis basit dhe frekuencave të sipërme) dhe atje ku është e mundur të kthehet edhe në një formë gjysmëstereofonike. Pra me mjetet elektronike moderne të pultit të regjistrimit që i ka çdo studio private në Tiranë, duke nisur nga veprat më me vlerë dhe duke vazhduar edhe me të tjerat, bëhet një klasifikim, seleksionim dhe masterizim i fondit tonë muzikor. Për ta çuar edhe më përpara këtë punë, veprat më përfaqësuese shqiptare përgatiten për t’u ruajtur në pajisje moderne dixhitale dhe kthyer më pas në CD komerciale. Me këtë rast, bëhet një studim me shkrim, i cili do të përfshihej në broshurën e CD-së. Nga përvoja ime, të tilla CD kanë një interes jo të pakët në botë, qoftë nga specialistë të muzikës apo adhurues të muzikës shqiptare.

Ç’ndikim pati ky historik regjistrimesh e disqesh në profilin tuaj muzikor?
Për njërën apo tjetrën arsye ky drejtim, pra regjistrimi, u bë fokusi im kryesor në jetë. Vlerësova shumë se si mund të shkruhet historia e një vendi edhe falë muzikës së tij, në rastin konkret falë regjistrimeve të kësaj muzike. Në fillimet e mija si muzikant, ndjesinë ndaj regjistrimeve e pata ashtu instiktive, të pandërgjegjshme, thjesht imagjinoja në mendjen time interpretuesit që luanin a këndonin një muzikë të caktuar, pra i vija më tepër rëndësi interpretimit se sa muzikës si krijimtari.
Kur u riorganizua Orkestra e Radios me 1962, përparësia e saj ishte të regjistrohej muzikë, vetëm muzikë shqiptare në atë kohë, siç ishte ilustrimi i programeve dhe sinjaleve të ndryshme radiofonike, dhe kryesisht regjistrimi i këngëve të Festivalit të Radios, pjesëmarrës i të cilave do të bëhesha dhe unë më vonë. Vlen të shtoj se Festivali me këngët e tij erdhi nga viti në vit drejt rritjes cilësore, ndërkaq që veprat e muzikës orkestrale shqiptare me të cilat orkestra merret në të shumtën e kohës, nuk e patën të njëjtin fat, pra pushuan së regjistruari si normë pune.

Duke iu kthyer regjistrimeve të bëra nga kolegu im Ferdinand Deda dhe unë, dëgjoj që ka midis tyre regjistrime të rëndomta ashtu siç ka dhe të mira, madje edhe mjaft të mira. Ishte një punë voluminoze e bërë në vite. Më vinte keq që shiritat magnetikë me këtë lloj muzike të atrofizoheshin ashtu heshturazi nëpër bodrumet e arkivit muzikor së Radios ku kushtet siç dihet nuk janë të mira. Mendova që gjithë ai mund, krijues dhe ekzekutues, do të duhej jo vetëm të rivlerësohej, të përpunohej me mjetet e sotme të regjistrimit, por t’i bëhej i njohur edhe botës së jashtme.

Çfarë hapi ndërmorët?
Pas CD-së së parë me katër kompozitorët “klasikë” shqiptarë, siç e përmenda më sipër, mendova që kasetat e regjistruara me këngët e nënës sime t’i ktheja edhe ato në CD. Vajtëm bashkë me djalin tim tek një studio private diku afër Leeds-it (Angli) dhe pas bisedës me inxhinierin e zërit, im bir më bëri të kuptoj se ai mund ta bënte fare mirë atë punë që do të bënte inxhinieri. Rezultati qe prodhimi i dy CD-ve me një cilësi tingëllimi të admirueshme, falë asaj që mësoi djali im mbi teknologjinë e masterizimit të tingullit. Eksperimentin e nisur me këngët e Teftës për të nxjerrë një album me dy CD brenda (një me regjistrime të vitit 1937 dhe tjetri me ato të vitit 1942), të prodhuar në Londër më 2005, menduam ta çojmë më tej.

Dy CD-të e ardhshme, njëri disk me muzikë orkestrale të ekzekutuar nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar dhe tjetri me muzikë vokale (me këngëtarët lirikë shqiptarë që interpretonin arie klasike të huaja dhe shqiptare dhe të shoqëruara përsëri nga OSRSH) këtë radhë do të masterizoheshin dhe emetoheshin njëkohësisht. Të dy këto CD u prodhuan nga një studio angleze, “Little Bazaar” (Harrow Middlesex). Nga pikëpamja e cilësisë dhe e paraqitjes këto janë ndoshta më të arrirat. Për diskun me kompozitorët shqiptarë u përzgjodhën vepra nga Zadeja, Daija, Harapi dhe Simoni, ndërsa për atë me këngëtarët shqiptarë u përfshinë Çako, Kovaçi, Mihali, Koçia, Paparisto, I. Mula, Athanas & Jorganxhi, Mengomataj e Mamaqi.

Kompakt disku i pestë do t’i kushtohej instrumentistëve shqiptarë, të shoqëruar gjithnjë nga OSRSh. Janë një radhë instrumentistësh shqiptarë që ekzekutojnë vepra po të kompozitorëve shqiptarë. Ndër instrumentistët janë Gj. Shestani, Gj. Antoniu, N. Çashku, F. Qerimaj, R. Koço, M. Sopiqoti, P. Gjezi e H. Hoxha, të cilët luajnë vepra të Zadesë, Ibrahimit, Paparistos, Daisë, Larës, Kushtës, Tukiçit, Qerimajt e Ramzotit.

Kompakt disku i gjashtë iu dedikua kompozitorëve kosovarë. Gjatë viteve 1980 u bënë një seri regjistrimesh me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova. Ishte kjo një eksperiencë e re dhe shumë tërheqëse për orkestrën tonë. Fahri Beqiri dhe Krist Lekaj erdhën posaçërisht nga Prishtina për të asistuar në studion e regjistrimit kur u regjistrohej vepra e tyre, respektivisht poema simfonike “Skënderbeu” e Beqirit dhe “Trualli betohet” e Lekajt. Në këtë CD janë përfshirë edhe veprat e L. Antonit, Z. Ballatës, V. Gjinit, R. Mulliqit dhe R. Dhomit. Secila prej tyre kishte veçorinë e saj që ishte mjaft e ndryshme nga krijimtaria jonë.

Me sa kuptoj, të gjitha këto regjistrime janë të bëra deri në vitin 1991, po më vonë a keni tentuar për të tjera regjistrime?
Duhet pranuar se orkestra është çmësuar me procesin e regjistrimit, në fakt, nuk është orkestra që vendos për një gjë të tillë, e tillë është ndërtuar politika institucionale prej më se dy dekadash dhe e tillë ka mbetur. Më 2012, në koncertet me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, në njërin nga këta u programua të dirigjoja suitën me muzikë nga filmi “Skënderbeu”, muzikë e regjistruar në Moskë më 1953. Muzika u shkrua nga kompozitori shqiptar Çesk Zadeja dhe rusi Jurij Sviridov. Kjo muzikë do të ekzekutohej tashmë në Shqipëri pas afro 60 vjetësh të regjistrimit të saj në studion e “Moskfilm”-it, kjo për arsyen se partiturat muzikore të saj kishin mbetur në Moskë dhe posedimi i tyre ishte bërë krejtësisht i pamundur. Regjistrimi i kësaj muzike u realizua drejtpërsëdrejti nga salla, duke përbërë kështu premierën absolute në Shqipëri si ekzekutim dhe që më pas regjistrimin do ta ktheja në CD. Pra, provova të regjistroj pas 21 vitesh dhe më duhet të pohoj se niveli i orkestrës ishte rritur së tepërmi. Orkestra e Radios tingëllon në këtë CD me një fuzion të shkëlqyer. Anëtarët e saj kanë tani një dokument se si tingëllon orkestra e tyre, apo më mirë loja e tyre në dekadën e dytë të shekullit XXI. Ky regjistrim është një pasaportë e kësaj orkestre që pa hezitim mund t’u dërgohet Radiove të huaja për transmetim.

Përmendët pak më parë që këto regjistrime, të kthyera në CD, është mirë “t’i bëhen të njohura botës së jashtme” dhe tani përsërisni që “t’u dërgohen Radiove të huaja për transmetim”. Si mund të bëhet kjo?
E kam fjalën për një politikë tjetër që do duhej të ndiqej, që nga njëra anë t’u bëhej e njohur Radiove europiane mbi ekzistencën e kësaj orkestre që ta përfshijnë në transmetimet e tyre radiofonike dhe nga ana tjetër që të tërheqë të ardhura financiare, sa do të vogla qofshin, por që bëhen pjesë e kontratës midis dy dikastereve për të vjelë të drejtën e autorit. Ndërsa lidhur me atë që “t’i bëhen të njohura botës së jashtme”, mendoj se kjo është një fushë që duhet eksploruar. Unë privatisht e kam ndjerë që ka mjaft interes për CD-të me muzikë shqiptare dhe që të huajt m’i kërkojnë vazhdimisht. Mirëpo kjo gjë nuk bëhet në mënyrë individuale, kjo duhet bërë në mënyrë institucionale. Institucioni me rregullat e duhura financiare mund t’i bëjë një shërbim të mirë dhe të domosdoshëm orkestrës që buxheti i saj të rritet.

A ka mundësi kjo orkestër të gjenerojë të ardhura?
Këto që përmenda janë vetëm njëra formë, ndoshta jo më e ndjeshmja e vjeljes së të ardhurave. Por ka forma të tjera që Orkestrat e Radiove kudo në botë i përdorin. Duke qenë se djali im punon në Orkestrën e BBC në Glasgow (Skoci), pra që është orkestër Radioje, kam pasur rastin të pyes menaxherin dhe drejtorin se si funksionon orkestra e tyre për të nxjerrë më shumë të ardhura dhe me të dhënat që mora aso kohe i pata propozuar Drejtorisë së Përgjithshme të RTSh që të bëhej një lloj binjakëzimi me BBC e Glasgow-t, propozim që u mirëprit si ide por që nuk pati ndonjë zhvillim. Sigurinë për binjakëzimin e kisha marrë më përpara nga BBC-ja, madje rekomandimet në fushat e gjenerimit të të ardhurave i mora dhe me shkrim, por më pas u ktheva përgjigje që me sa duket nuk ishte gjë që bëhej. Ata të BBC ishin të gatshëm të jepnin edhe pjesë këmbimi si tela instrumentesh me hark, kallama instrumentesh të drunjta por edhe instrumente të mirëfilltë perkusioni që sot i mungojnë orkestrës së RTSh-së. Por kjo i përket së shkuarës.

A keni ndonjë projekt të ardhshëm për ndonjë CD të re me regjistrime të ditëve tona, pra me tingëllimin kohor të Orkestrës së Radios?
Orkestra në kohët tona funksionon më shumë si Orkestër Filarmonike sesa si Orkestër Radioje. Kjo do të thotë që përparësi për këtë orkestër sot kanë koncertet me një kalendar të caktuar, ndërsa regjistrimet nuk janë pjesë e detyrimeve ligjore, por dhe në u bëftë ndonjë incizim, ai mbetet diku për nevojat e brendshme apo personale dhe nuk kthehet në disk të dixhitalizuar të standardeve e parametrave bashkëkohorë dhe si rrjedhim nuk bëhet për treg. Pastaj, nuk është thjesht regjistrimi në vetvete, pra fiksimi i tingëllimit orkestral; ky do të duhej të shoqërohej me një koment/analizë të krijimtarisë dhe ekzekutimit të përshirë në broshurën e CD-së. Një gjë më duhet ta bëj të qartë: regjistrimet e mirëfillta me cilësi optimale parametrash dixhitalë të regjistrimit të tingullit janë të vetmet formate që lejohen për transmetim e që kthehen në CD. Regjistrimet video të koncerteve dhe vendosja e tyre në “YouTube” nuk arrijnë dot të zëvendësojnë pajisjen dixhitale të regjistrimit stereofonik muzikor.

Po thoni që kjo orkestër funksionon tashmë me një strukturë të ndërmjetme, diku midis asaj Filarmonike dhe të Radios?
Ndoshta, nuk di të them. Di vetëm të them që, qoftë në Europën Perëndimore apo atë Lindore, orkestra me gjysmë profili nuk di të ketë. Po të kthehej në Orkestër Filarmonike, në këtë rast do të merrnin përparësi një sërë çështjesh themelore; së pari orkestra do të duhej të kishte një sallë të sajën ku të njihej si Salla e Filarmonisë; në të do të bëheshin veç koncerteve me orkestër simfonike, edhe koncerte me formacione më të vogla apo recitale me individë solistë. Sigurisht që koncertet do të duhej të bëheshin me bileta, pra që Orkestra të kishte një farë të ardhure financiare, qoftë edhe jo e madhe. Biletat, edhe me një çmim të lirë i japin seriozitet koncertit. Edhe në lidhje me një sallë të mundshme, në kohën e “entuziazmit tim të madh”, pata hyrë në biseda shumë premtuese me një nga bankat private të porsa hapura në Shqipëri, pamë vendin brenda territorit të godinës së Radios së sotshme ku do mund të ngrihej vetëm njëri mur dhe çatia pasi tre muret e tjerë ekzistonin, dhe nga një llogari e përafërt dilte një kosto e leverdishme për atë kohë, por edhe kjo, për fat të keq, u la thjesht për mungesë vlerësimi ndaj rëndësisë së një salle të tillë brenda territorit të RTSh.

Nga ana tjetër, gjithnjë në vijim të shqyrtimit mbi profilin e orkestrës, po të vazhdonte si Orkestër Radioje, struktura e modele më të avancuara e efikase ka në të katër anët e Europës së qytetëruar. Në këtë rast detyra parësore e kësaj orkestre do të ishte regjistrimi apo incizimi i veprave më kryesore që ajo ekzekuton në publik, kryesisht i veprave shqiptare, të cilat nuk e kanë mundësinë të ekzekutohen e aq më pak të regjistrohen në vende të tjera.

Më mbeti në mendje çështja e biletave, vërtet koncertet bëhen pa bileta?
Po, ideja me sa duket është se muzika që orkestra transmeton edukon shijet e njerëzve, ngre nivelin e tyre kulturor, pra është art elitar që meriton të vlerësohet nga shteti. Unë i përkas ndoshta asaj pakice që mendoj se koncertet duhen bërë me bileta dhe kjo, para së gjithash, për të respektuar atë mund e nivel të ngritur profesional që kanë anëtarët e kësaj orkestre. Në këtë Orkestër punësohen, si rregull, muzikantët më të mirë të vendit, të cilët e kanë filluar studimin e instrumentit të tyre që gjashtë vjeç (për harqet) dhe trembëdhjetë vjeç (për frymorët) dhe që e gjithë jeta e tyre karakterizohet nga një ushtrim i përditshëm disa orësh dhe nga një investim i madh mendor dhe shpirtëror.

Cila ka qenë CD-ja më e fundit që keni emetuar?
Më 24 janar 2015, me rastin e 80-përvjetorit të lindjes të tenorit tonë të mirënjohur, Gaqo Çako, në sallën e madhe të Operës ku u bë dhe koncerti jubilar, u dëgjuan disa arie nga CD-ja më e fundit e prodhuar nga shoqëria anglo-franceze MPO (Chiswick, Londër) dhe e mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Në fakt janë sy CD në një kuti, CD1 përmban 18 arie klasike të huaja dhe CD2 18 arie dhe këngë qytetare shqiptare. Tingëllimi i zërit të Gaqos kur ai ishte në kulmin e pjekurisë së tij vokale dhe interpretuese, dëshmojnë për mbështetjen e madhe që i dha Orkestra e Radios këtij tenori edhe për faktin se repertori vokal italian e francez nuk ishin pjesë e rutinës së repertorit të përditshëm orkestral dhe orkestra nuk është se kishte ndonjë përvojë të veçantë në lëvrimin e këtij repertori. Për sa i përket këngëve tradicionale qytetare shqiptare, Gaqoja i kërkoi Gjon Simonit që të orkestronte një pjesë të mirë të tyre, dhe Gjoni shpalosi gjithë njohuritë e tij prej arranzhatori dhe orkestruesi që në këtë fushë ishte i paarritshëm edhe për ditët e sotme. Në broshurën që shoqëron këto dy CD jepet një përshkrim i gjerë mbi pikat kulmore të karrierës së Gaqos, një vrojtim mbi traditën e artit vokal në Shqipëri, dhe ajo që është tema në fjalë, një jetëshkrim Orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar dhe veprimtarisë së saj në vite.

Meqë jemi te jetëshkrimi i Orkestrës së Radios, a ka ndonjë studim më të gjerë mbi këtë orkestër dhe kontributin e saj në vite?
Unë jam marrë gjatë me historiografinë e Orkestrës së Radios, madje jo vetëm me këtë orkestër që është sot dhe që është krijuar 53 vjet më parë, por edhe me Orkestrën e parë të Radios që u formua në dhjetor të vitit 1944 dhe që atëherë u quajt thjesht Orkestra e Radios. Një pjesë të orkestrantëve të asaj në atë kohë ishin ushtarakë italianë të cilët mbetën në Shqipëri pas Luftës, ndërsa pjesa tjetër e muzikantëve ishin shqiptarë që kishin mësuar violinë në Normalen e Elbasanit, Gjimnazin e Tiranës, apo që e kishin ushtruar këtë zanat që në kohën e Monarkisë. Në krye të Orkestrës së Radios do të ishte kapiten Umberto Rampi, i cili kryente detyrën kryesisht të dirigjentit, por edhe të violinistit. Pas largimit të Rampit, ishte Mustafa Krantja a që u vu në krye të orkestrës. Orkestra e Radios e viteve 1940 nuk ishte definitive, por ishte caktuar një pagesë mujore, e cila ishte fikse.

Për sa i përket Orkestrës së sotme Simfonike të RTSh e themeluar më 1962, sigurisht që biografia e saj është shumë më e gjerë dhe me dokumentacion të pasur të regjistrimeve kryesisht në shirit magnetik. Përveç shiritave të shumtë që gjenden në arkivin e Radios, për këtë orkestër flet qartë edhe seria “Klasikë Muzikorë Shqiptarë” me shtatë CD të saj, gjashtë nga të cilat mbulojnë periudhën 1979-1991 dhe një e vetme fikson vitin 2012, pra pas njëzet e dy viteve.

Cili është projekti i ardhshëm i regjistrimit dhe cili është gjykimi juaj mbi funksionimin e orkestrës së Radios sot?
Kisha planifikuar një koncert me vepra të kompozitorëve kosovarë të panjohura për publikun shqiptar dhe veçanërisht njërën nga ato vepra dëshiroja shumë ta regjistroja. Ishte një simfoni që përbënte histori, historinë e Kosovës. Kjo mundësi nuk m’u dha. Një situatë të tillë kam pasur edhe para nëntë-dhjetë vjetësh. Është sistemi administrativ i Orkestrës që e lejon një gjë të tillë. Është po ai sistem që e ka mbajtur orkestrën në një stanjacion më se 50 vjeçar. Me gjithë vlerat e padiskutueshme të muzikantëve të saj kjo orkestër vazhdon të jetë një apendiks i vetë strukturës së përgjithshme të Radiotelevizionit, por edhe një apendiks në tërësinë e strukturave artistike të vendit. Është një qark i mbyllur që as i dëgjohet e as i vjen zëri. Orkestra e Radios nuk varet nga Ministria apo Kryeministria, por nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSh-së dhe Kuvendi. Është i vetmi organizëm artistik në të gjithë vendin që nuk ka sallë koncertesh apo shfaqjesh, në fakt, që nuk ka pasur kurrë, që kur u themelua. Institucionet e tjera artistike, si Teatri Kombëtar, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës luftojnë dha janë planifikuar për të pasur sallë të re, dhe mirë bëjnë. Teatri i Operës dhe Baletit po ashtu ka marrë aprovimin e Ministrisë për një rikonstruksion të përgjithshëm të sallës. Po për një sallë për Orkestrën e Radios kush duhet ta ngrejë zërin? Salla e saj e vetme është salla e regjistrimeve, që praktikisht këto, regjistrimet, nuk janë më normë e orkestrës. Normë është hyrja e lirë nëpër koncerte ku ato bëhen ndër salla të tjera. Është i vetmi institucion artistik që nuk mund të reformohet, pikërisht për hir të pozicionit-shtojcë që ka, por dhe mungesës së vullnetit për ndryshim. Teatri i Operës në përpjekje për të rritur motivimin e orkestrës së tij u rriti pagat muzikantëve (pra struktura e pagave tek ta është kategori më e lartë), që nuk mund të thuash që ata janë më të mirë dhe këta të Radios më pak të mirë. Të dy orkestrat janë produkt të së njëjtës shkollë të lartë, por Opera ka një ndërlidhje më të shëndetshme me Ministrinë e Kulturës, ka një profil më të qartë si strukturë, madje e ka zgjeruar profilin e saj duke e quajtur orkestrën e saj edhe Filarmonike.

Me një kalendar të rregullt vjetor Orkestra dinjitoze e Radios ka nevojë për ta përçuar tingëllimin e saj edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë nga ku mund të mblidhen dhe të ardhura. Veprimtaria koncertore e kombinuar me regjistrimet si normë pune në periudha të ndryshme të sezonit artistik, nga ku do të gjeneronin CD-të e ardhshme, do t’i qëndronte më afër profilit që kanë orkestrat simotra të Europës. Ajo që nevojitet është vizioni, dituria dhe këmbëngulja për të bërë vetëm gjëra të mira. Orkestra duhet të krijojë identitetin e saj e jo të qëndrojë midis dy gjysmëidentiteteve.

Nuk do të dëshiroja të zgjatesha me çështjet normative të kësaj orkestre, të cilat duhen kualifikuar në analiza të veçanta. Nuk është se nuk i kam bërë objekt analizash këto çështje në së paku tridhjetë vitet e fundit, por që, për një arsye apo tjetrën nuk arrijnë të përçojnë atje ku duhet, madje edhe kur bëhet fjalë për mëkëmbje financiare aq të domosdoshme. Gjithsesi, po qe se ndonjëherë do të ketë interes, propozimet i kam konkrete.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: