Tingujt e valsit vjenez kanë përfshirë sheshin Skënderbej këtë të mërkurë ndërsa balerini i njohur Eno Peçi i ardhur nga Vjena State Opera, performoi në shesh me balerinë dhe me të rinj nga Shqipëria.

“Është një vals pak ndryshe, i përshtatur. Është me rendësi që valsi të shkojë te të rinjtë. Kërcimi nuk është vetëm për në teatër, dashuria për kërcimin është për të gjithë. Kam kaluar fëmijërinë në Shqipëri dhe sa herë kthehem kam një lloj nostalgjie”, thotë balerini e koreografi Eno Peçi.

Aktiviteti “Vals me të rinjtë” u organizua nga Ambasada austriake dhe kongresi rinor kombëtar në kuadër të Vitit të Tiranës si kryeqytet i rinisë. Të rinjve në vals ju bashkua edhe ambasadori Christian Steiner.

“Në kuadër të Tiranës si kryeqytet Europian i Rinisë, donim që ambasada austriake të bënte diçka me të rinjtë dhe valsi është përfaqësues për Vjenën. Ne e kemi mësuar që herët në Austri dhe jam i lumtur që ky aktivitet sjell në Tiranë yllin e baletit, Eno Peçi. Më vjen mirë që akvititeti është në shesh dhe është për të gjithë”, thotë pas performancës, ambasadori austriak Christian Steiner.

Duke nxjerrë valsin nga sallat teatrore në shesh, synohet afrimi i të rinjve me artin dhe përhapjen e tij pavarësisht kombeve e popujve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb