Luis Enrike, trajneri i Barcelonës, ka mbajtur konferencën për media para ndeshjes me Real Madridin në “Camp Nou”. Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë ndeshje, por nuk beson se përballje e së dielës do ta përcaktojë fituesin e La Ligës. “Unë nuk mendoj ‘El Clasico’ është vendimtare. Do të jenë 10 ndeshje mjaft të vështira. Është e rëndësishme, por jo vendimtare”, ka deklaruar Enrike. Pas javës së 27-të në La Liga, ekipi i Luis Enrikes kryeson renditjen e përgjithshme me 65 pikë të grumbulluara, një më shumë sesa skuadra e Karlo Ançeloti, që është e dyta. Nga ana tjetër, trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti ka këmbëngulur se nuk do të kënaqet me barazim në ballafaqimin kundër Barcelonës në “Camp Nou”. Trajneri italian thotë se kërkon vetëm fitore, pavarësisht formës së luhatshme që po kalon ekipi i tij. “Kurrë në karrierën time nuk kam hyrë në një ndeshje për barazim, e aq më pak tani. Kemi kualitetet e nevojshme për të fituar”, deklaroi Ançeloti në konferencë për shtyp. Ai po ashtu foli edhe për gjendjen e Kristiano Ronaldos, i shumëkritikuar për formën e tij. “Ronaldo ka punuar mirë dhe është në formë të mirë si komplet skuadra”, u shpreh ai. Barcelona dhe Real Madridi do të luajnë klasiken e 230-të, kurse ekipi që ka më shumë fitore deri më tani është klubi nga “Santiago Bernabeu”. Reali ka fituar 92 ndeshje zyrtare, tri më shumë sesa Barcelona. Kurse këto ekipe 48 herë janë ndarë në barazim. Ndeshja e parë zyrtare mes Realit dhe Barcelonës është luajtur në vitin 1902, të cilën e fitoi ekipi katalanas me rezultatin 3-1.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb