Luiz Enrike trajneri i Barcelonës, e mbyll vitin me një thumbim për yllin madrilen Kristiano Ronaldo. Numri një i pankinës së “blaugranëve” e ka cilësuar qesharak krahasimin e Lionel Mesit me futbollistë të tjerë. Për të, ai nuk do të ketë kurrë konkurent, ndërsa për “Topin e Artë” ka një krahasim të çuditshëm.

“Shiko, ne kemi fituar edhe pa Leon, por ai i jep një tjetër rendiment lojës. Unë mendoj se është më i miri në historinë e futbollit dhe, për këtë, nuk kam asnjë dyshim. Kur e shikoj që e krahasojnë me të tjerë, më duket si një shaka e shëmtuar. Për momentin, ai s’ka asnjë që mund t’i afrohet. Të tjerët mund të marrin si çmime edhe “pjepri i artë”, por kjo nuk do të thotë se mund të jenë të përafërt me Leon.

Madje, as me yjet e dikurshëm nuk ka aspak krahasim, pasi nuk ka qenë futbolli i sotëm. Tashmë luhen 60 ndeshje në sezon, çdo 3-4 ditë, kundër rivalëve shumë herë më të fortë, ku duhet të vraposh të paktën 10 kilometra. Dikur, luheshin 3-4 ndeshje në muaj dhe diferencat mes skuadrave kanë qenë stratosferike”, përfundoi Enrike.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb