TIRANË

Ish-drejtuesi i Policisë Shemsi Prençi deklaron se Policia e Shtetit nuk ka interes për të zbuluar ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës sepse pengohet nga politika, nga kundërshtarët e tij dhe nga të gjithë. Prençi i ftuar në emisionin “Në shënjestër” në News24 deklaroi se Enver Stafuka i përkiste botës së krimit, ishte një kontingjent për disa lloj krimesh dhe ndër to dhe krime ndaj jetës së personit. Por sipas tij, strukturat e policisë duhet ta zbardhin ngjarjen,  për t’i thënë familjes që ku ndodhet trupi i të ndjerit.

“Dua të bëj një korrigjim të vogël, ngjarja e rrëmbimit është e 8 shkurtit, ndërsa video transmetohet me datën 9 shkurt. Do të thotë që me dashje, pa dashje janë të regjistruara kamerat ndryshe, gabim, kanë transmetuar me vonesë kemi të bëjmë me një ngërç me regjistrimin e kamerës. Së dyti, ky fenomen është shumë i rëndë në Shqipëri dhe ndërsa vitet vijnë e ikin dhe ky fenomen i marrjes peng dhe zhdukjes së njerëzve po bëhet masiv”, tha Prençi.

Si e lexoni këtë video?
Edhe nga opinioni publik, por edhe nga mediat dhe nga policia dihet që Enver Stafuka i përkiste botës së krimit, ishte i evidentuar, ishte një kontingjent për disa lloj krimesh dhe ndër to dhe krime ndaj jetës së personit. Në këto kushte është shumë i rëndësishëm motivi se përse është rrëmbyer, çfarë fshihet pas këtij rrëmbimi, çfarë dinte dhe nuk dinte, çfarë kishte bërë, qoftë dhe për t’u shamngur në një ditë të bukur për të dëshmuar. Sepse midis grupeve kriminale ka edhe kontradiksione që shkojnë drejt ndarjes dhe para se të ndahen ndahen dhe hesapet.

Kush janë personat e parë të dyshuar?
Po t’i referohemi videos nuk ka nevojë për ekspertë me një eksperitzë spektakolare në fushën e hetimit dhe zbulimit të krimit. Normalisht të dyshuarit do jenë ata që kanë kontaktuar të fundit me të. Pak rëndësi ka se me kë kanë lidhje. Këtu ka të bëjë sa janë të implikuar këta njerëz, nipi i deputetët, shokët e Enver Stafukës apo vetë Enver Stafuka.

Enver Stafuka ishte futur në botën e krimit dhe një ditë të bukur do i vinte o nga shokët, o nga kundërshtarët sepse ka qenë shumë i implikuar, aq sa disponon Policia e Shtetit. Por a duhet të mbajnë përgjegjësi strukturat e policisë, këtë duhet të mbajnë për ta zbardhur të paktën, për t’i thënë familjes që ku ndodhet trupi i të ndjerit.

E kemi thënë dhe stërthënë zyrtarisht në media që në disa zona të nxehta të botës së krimit nuk ka struktura aktive të policisë. Në Fushë-Krujë e Nikël nuk futen strukturat e policisë, vetëm kur shkon Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me forcat RENEA. Nuk ka hetime të mirëfillta. Nuk di që për ngjarjen e Stafukës, të ketë ecur Policia e Shtetit për ta zbuluar sepse nuk ka interes për ta zbuluar, sepse pengohet nga politika, pengohet nga kundërshtarët e Stafukës, pengohet nga të gjithë. Pikërisht për këtë arsye e jetoj shqetësimin e vëllait të Stafukës, por ngjarje të tilla kriminale ose zbulohen shumë vonë, kur të jenë harruar shumë gjëra, ose nuk zbulohen fare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb