TIRANË- Epidemia e gripit ka arritur kulmin në Shqipëri. Të paktën kështu deklarojnë mjekët që flasin për rreth 19 mijë persona të prekur në të gjithë vendin, ndërsa kanë humbur jetën 2 pacinetë të sëmurë kronikë, në spitalin “Shefqet Ndroqi” situata e të cilëve u përkeqësua pasi u prekën edhe nga gripi.

Ministria e Shëndetësisë me anë të një deklarate konfirmon zyrtarisht se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së gripit që po kalon vendi ynë, janë 2. “Aktualisht, janë vetëm dy raste të konfirmuara për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës”,- thekson MSH.

Sipas MSH, viktimat janë M. K., mashkull, 70 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 31 Dhjetor 2016, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi,” me SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike) të riakutizuar, insufiçencë respiratore dhe status gripalis, ndërruar jetë më datë 2 Janar 2017 dhe A. N., mashkull, 71 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 3 janar 2017, po në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, me sëmundje kardiovaskulare dhe insuficiencë respiratore, ndërruar jetë po atë ditë.

“Duke filluar nga 31 dhjetori ka patur një fluks që s’është i zakonshëm për urgjencën e spitalit tonë. Bëhet fjalë për 70 deri në 100 persona në ditë, që janë trefishi i ngarkesës të një dite të zakonshme. Kemi kaluar në shërbim të përforuar me 3 mjekë”, deklaroi mjeku Arjan Mezini.

Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, janë 19 mijë shqiptarë ata që kanë kërkuar ndihmën e mjekut vetëm gjatë kësaj jave, ndërsa paralajmërohet se e njëjta situatë mund të na shoqërojë edhe tre apo katër javë të tjera.

Mjeku pneumolog paralajmëron se kjo situatë e rëndë gripale do të vazhdojë. “Do ketë një rritje, 2 javët e ardhshme do të jenë shumë problematike dhe më pas, si çdo cikël, do të vijë duke rënë”, sipas Mezinit.

SIMPTOMAT E GRIPIT
Simptomat e virusit te tipit A i cili paraqitet me temperature te larte, dhembje koke e trupi mund te zgjasin nga tre deri ne pese dite. Bluzat e bardha nuk e shohin te domosdoshme paraqitjen e menjehereshme ne spital, por rekomandojne shmangien e antibiotikeve.

Komplikacionet e këtij gripi, siç theksojnë edhe mjekët pneumologë, mund të shkaktojnë pasoja fatale për jetën, ku më të rrezikuarit mbeten ata që vuajnë nga sëmundjet pneumoni kronike, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Shefi i shërbimit në Spitalin Infektiv, Arjan Harxhi bëri apel për kujdes kryesisht për të moshuarit, te sëmuret kronike dhe fëmijët.

SI TA PARANDALOJMË GRIPIN
Për të parandaluar prekjen nga virusi bluzat e bardha apelojnë për vaksinim, disancim social, higjenë të lartë personale dhe konsum lëngjesh si dhe duhen shmangur antibiotikët pa recetë.

Moti i keq dhe situata e krijuar nga gripi ka detyruar institucionet të mbyllin kopshtet e shkollat deri të hënën, por duke parë shtimin e rasteve këto ditë ka gjasa që pezullimi të vijojë. Po sot ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se do të pezullohen edhe operacionet në spital, përveç rasteve urgjente.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb