TIRANË

Jo pak qytetarë e kanë vuajtur të nxehtin afrikan të këtyre ditëve në kryeqytet dhe në disa zona të tjera të vendit ku është ndjerë më shumë. Por me sa duket ka lajme të mira dhe moti pritet të ndryshojë, duke u rikthyer në vlerat normale të temperaturave të qershorit.

Sinoptikania Lajda Porja në një lidhje ‘live’ me News24, raportoi se sot pritej dhe dita më e nxehtë e këtij episodi, por se lëvizja e erës ka bërë që ajri të qarkullojë më shumë dhe të mos ndihet njësoj si një ditë më parë.

Ajo tregoi se gjatë natës do të ketë freskim të motit me disa gradë dhe se fundjava është ideale për plazh.

“Me temperatura të larta pritet që të thyhet rekordi i këtij episodi në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku ka shënuar 41.3 gradë. Në fakt sot pritet të arrihet vlera 42 gradë. Dje në kryeqytet dje 39.6 gradë, sot presim afërsisht 40 gradë. Temperaturat më të larta në qarkun e Elbasanit dhe po ashtu janë regjistruar në Urën Vajgurore, Berat, Kuçovë dhe Gjirokastër, por jo më shumë se 42 gradë dhe nuk e thyejnë rekordin e 2015 me 43.4 gradë që është shënuar në qytetin e Gjirokastrës. Mbrëmë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka qenë pak më freskët. Kemi pasur një forcim të parametrit të erës, gjë që ka sjellë qarkullimin e ajrit. Kemi një rritje të papërfillshme në disa zona të temperaturave nga dje, por kemi pasur një forcim të erës, që do na shoqërojë sot pasdite, e cila është me shpejtësi më të madhe se dje dhe që sjell që ajri të qarkullojë më shumë dhe të marrim pak më lehtësisht frymë.
Lagështira ka qenë shumë problematike. Masat e ajrit kanë qenë të pajisura më lagështirë, vijon 40-50%. Tirana karakterizohet nga lagështira. Nëse do vëmë re, në qiell ka filluar të qartësohet pak, duke larguar atë renë e Saharasë. Nesër do ketë një rënie duke nisur nga veriu dhe të shtunën dhe të dielën në gjithë vendin dhe temperaturat do jenë jo më të larta se 36 gradë. Lagështira prezente dhe në fundjavë.
Duke nisur që sonte gjatë natës do ta ndiejmë freskinë. Këto masa ajrore largohen nga zona veriore dhe më pas nga pjesa tjetër e territorit drejt gadishullit Iberik. Nuk parashikohet të ketë reshje. Fundjava do jetë ideale për plazh. Një mot shumë më i favorshëm, në vlerën 33-34, do ketë një erë dhe një det pak të trazuar. Nuk parashikohet të ketë reshje në territor deri në fund të qershorit. Java e ardhshme do sjellë sërish rritje të lehtë të temperaturave deri në 38 gradë.
Në ditët e para të korrikut do ketë një qarkullim të këtyre masave drejt gadishullit skandinav”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: