TIRANË

“Plaga ime është edhe e juaja. Kam kërkuar që ditën e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi.” me këto fjalë iu drejtua sot mediave babai i Klodian Rashës, i cili ishte i pranishëm sot në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës për policin Nevaldo Hajdaraj, të akuzuarin për vrasjen e djalit të tij 25-vjeçar Klodian Rasha.

“Plaga ime është edhe e juaja. Kam kërkuar që ditën e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Sot erdha të dëgjoj të shikoj në sy ballë për ball cfarë do të thotë drejtësia.

Mendoj që tragjedi të tilla të mos u ndodhë asnjë familje, asnjë zemër nëne të mos plagoset. Asnjë zemër vajze e djali të mos vritet në një mënyrë macabre si puna e djalit tim.” u shpreh Qazim Rasha për mediat.

Sot në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca paraprake ndaj ish-efektivit të forcave ‘Shqiponja’ Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha mëngjesin e 8 dhjetorit në zonën e Laprakës.

Ndaj efektivit të forcave shqiponja Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje. Vetë Hajdaraj ka qenë në seancën e sotme, ku gjatë gjithë kohës ka qendruar me kokën ulur.

Më herët, gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Nevaldo Hajdaraj i ka kërkuar falje Qazim Rashës në sallën e gjyqit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb