Gazetarja Doriana Bezat, ka raportuar për “BalkanWeb” të tjera detaje nga krimi i rëndë në Don Bosko, ku pas një atentati, mbeti i vdekur 35-vjeçari Erion Çela, e u plagosën 4 të tjerë, mes tyre edhe vëllai i viktimës.

Gazetarja Bezat, raportoi se makina e autorëve dyshohet se ka ardhur nga zona e Spitalit të Traumës drejt lokalit, më pas, nga mjeti tip “Benz” janë lëshuar dhjetëra plumba kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ndodheshin viktima dhe të plagosurit. Këta të fundit dyshohet se kishin lidhje të afërta familjare mes tyre. Pas krimit, autorët janë larguar po nga drejtimi që kanë ardhur e më pas kanë humbur gjurmët mes lagjeve të Laprakës.

Pista që po dyshon policia është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike, pasi 41-vjeçari Edmond Crroj, i identifikuar si daja i viktimës dhe njërit prej të plagosurve kishte precedent të theksuar kriminal në shtetin italian.

Rrethimi i zonës, ka sjellë problematika për autoambulancat që kërkojnë të futen për në Spitalin e Traumës, ndërkohë, autorët sipas raportimeve janë kujdesur që të mos lënë thuajse aspak gjurmë në vendngjarje dhe kjo rrit më tepër dyshimet e policisë që ngjarja mund të jetë kryer nga persona profesionistë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb