Shqipëria nuk është favoritja kryesore në grupin e Ligës së Kombeve, por ka përgjegjësinë që të bëjë një figurë serioze në këtë kompeticion sepse vlera e Kombëtares shqiptare është sa Skocia dhe Izraeli bashkë.

Dy kundërshtarët e Kristian Panuçit vlejnë 91 milionë €, ndërsa Shqipëria kap kuotën e 100 milionë €. Saktësisht, Skocia vlen 64.4 milionë €, ndërsa Izraeli 27 milionë. Në ekipin skocez, lojtari më i shtrenjtë është Andrju Robertson, mbrojtësi i Liverpulit, i cili vlerësohet 10 milionë €, ndërsa në skuadrën e Izraelit, lojtari me vlerën më të lartë është Bibras Naço (5.5 milionë €).

Kristian Panuçi ka fatin, por edhe përgjegjësinë, të drejtojë një grup lojtarësh, i cili arrin vlerën mbi 100 milionë €. Kjo, për arsyen e vetme që lojtarët si Hysaj, Strakosha dhe Berisha, janë duke bërë paraqitje dinjitoze në një nga kampionatet më të mëdha në Europë. Kurrë më parë shifrat nuk kanë qenë të tilla, madje as në momentin që De Biazi e kualifikoi Shqipërinë në Europian.

Edhe në “transfermakt” vihet re diçka e tillë, ku Shqipëria tani kushton 63.65 milionë €. Por, në fakt, kjo nuk është vlera reale pasi Hysaj dhe Strakosha këtu nuk vlerësohen aq sa i ka vlerësuar instituti i statistikave në Europë. Sipas këtij instituti, Elseid Hysaj vlen 46 milionë € dhe Strakosha 19 milionë. Në total, shifra i kalon 100 milionë € duke përfshirë edhe lojtarët që janë pjesë e ekipit, por nuk ishin grumbulluar për ndeshjen e fundit me Turqinë.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/erdhi-koha-te-ndihemi-superiore-shqiperia-vlen-me-shume-se-skocia-dhe-izraeli-se-bashku/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb