Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka liruar ekuipazhin e anijes që erdhi nga Kolumbia, ku edhe u sekuestruan 59 kg kokainë brenda qymyrit.

Gazetarja Klodiana Lala tha për BalkanWeb se ekuipazhi i përbërë nga rusë, filipinas dhe ukrainas mund të largohet nga Shqipëria.

Kujtojmë se Shoqëria “MS Unistream & CO.KG”, që i përket anijes me qymyr që u kap në Portin e Durrësit me 59 kg kokainë, disa javë më parë, kërkoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, heqjen e sekuestros së vendosur nga SPAK.

Kujtojmë se anija me qymyr mbërriti në Portin e Durrësit, nga Kolumbia ku ishte ngarkuar me dhjetëra ton qymyr, i cili ishte porositur nga një kompani e huaj që operon në Shqipëri.

Anija e mallrave ishte nisur nga Barranquilla, një port në Kolumbi dhe mbërriti në Durrës pas 20 ditësh lundrim. Ajo u vendos në Terminalin Lindor që shërben për ngarkim-shkarkimin e mineraleve mëngjesin e 16 majit dhe pas ndërhyrjes së policisë mes qymyrit u gjet një sasi prej gati 59 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb