Krimi në familje mbetet një plagë për shoqërinë shqiptare. Edhe më tronditës ky krim bëhet kur fëmija vret prindin. Rasti më i fundit është shënuar në fshatin Luar të Roskovecit, në Fierit. Djali Erdis Rapo, 25 vjeç, qëlloi me shkop në kokë për vdekje babain e tij Dhorin, 52 vjeç. Ngjarja u shënua shumë pranë banesës së tyre.

Më vonë u mësua se si babai, ashtu edhe djali, kishin probleme të shëndetit mendor. Në studion e emisionit “Me zemër të hapur”, në News24, sot folën familjarë të afërm të kësaj familje, të cilët hodhën dritë mbi fakte që dëshmojnë se kjo ngjarje mund të ishte parandaluar.

Viktima dhe i biri kanë qenë me kartelë mjekësore nga spitali i Vlorës me probleme të shëndetit mendor dhe prej 4 vitesh ishin pa asnjë kujdestar, pasi bashkëshortja e të ndjerit kishte ndërruar jetë. Edhe më e rëndë situata tani është për djalin e vogël të kësaj familje vetëm 17 vjeç, i cili prej ditës kur ndodhi ngjarja jeton i vetëm pak metra nga ku pa të atin pa jetë.

Peçi Rapi: Dhori ka qenë i sëmurë dhe djali ka qenë i sëmurë. Komunikonin ashpër me njëri tjetrin. Erdisi më kishte thënë që nuk e duronte më të atin. Shkoi vetë në spitalin e Vlorës, por aty se mbajtën, sepse i thanë që duhet të kesh rekomandim. Po të kishte kurim të rregullt nuk do ishte kështu ngjarja. Mori disa vite kemp, por më pas ia hoqën. Kemi problem me djalin tani 17 vjeç, sepse mbeti vetëm.
Evis Ahmeti: Prej sa kohësh vuan Erdisi nga shëndeti mendor?
Peçi Rapi: Ka 6 vite. Nuk ka marrë as pension, asgjë. Ndihej shumë i rënduar nga i ati. E dhunonte psikologjikisht.
E kunata Marika: Dhori ka dhunuar dhe bashkëshorten psikologjikisht. Nuk i jepte as bukë të hante fëmijëve.
Evis Ahmeti: Si ndodhi ngjarja?
E kunata Marika: Nuk isha aty isha më larg. Pashë lëvizje. Pashë Erdisin me një shkop, vazhdonte t’i binte të atit, por unë se pashë. Doja t’i flisja, por iku. Më pashë vëllezërit, njëri hynte brenda, tjetri dilte jashtë. Dëgjova dhe fjalën ambulancë. Unë Dhorin e dija se ishte në bashki. I thashë o Edis cfarë bëre. Më tha vrava babin. I thashë a e vrave shumë? Më tha e vdiqa fare. Kishin 1 javë që ziheshin shumë.
Evis Ahmeti: Pse nuk e ndihmuat të merrte rekomandim për ta çuar në spital?
E kunata Marika: Dhori shkoi të merrte rekomandim, por doktori ishte me leje. Kërkoi edhe ambulancë ta merrnin djalin se nuk kishte dhe lek të lëvizte. Dhori e paralajmëroi 1 javë më parë. U tha mjekëve që djali është bërë rëndë. Dhori kishte 10 ditë që i thoshte Peçit do të më vrasë Erdisi. Do më vrasë në qetësi thoshte. Para 1 muaji mora ambulancën në telefon dhe mori Dhorin e mbajti 2 javë në spital. Më vonë morën dhe Erdisin i bënë një gjilpërë dhe e lanë të lirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb