*Erdogan në Tiranë: Vëllezër, këtu ndjehem si në shtëpinë time të dytë
*Nishani takon Erdogan: Të frenohen përpjekjet për ta shndërruar në burim konflikti ndëretnik
*Rama takon Erdogan: Së shpejti nënshkruajmë dokumentin e partneritetit strategjik

*Meta pret Erdogan, konfirmohet investimi për përmirësimin e infrastrukturës së kuvendit

TIRANË- Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të Presidentit shqiptar Bujar Nishani. Erdogan ka takuar edhe kryeministrin Rama, ndërsa priten takime me krerë të tjerë të shtetit.


Presidenti i Turqisë iu drejtua me shprehjen vëllezër shqiptarëve, ndërsa falënderoi për mikpritjen Kreun e Shtetit Nishani, ai shtoi se ndjehej në Shqipëri si në shtëpinë e tij. Erdogan theksoi se dëshiron që bashkëpunimi midis dy vendeve tona të rritet.

“Dëshiroj të falenderoj Presidentin Nishani për mikpritjen e veçantë për mua dhe delegacionin që më shoqëron. Interesimi dhe mikpritja e vëllezërve tanë shqiptarë na bën ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë të dytë. Me mikun tim Nishani patëm bisedime të dobishme dhe frytdhënëse, trajtuam marrëdhëniet në të gjitha fushat marrëdhëniet tonë historike, ekonomike dhe tregtare. Ne si vend i NATO-s ndërmorëm një operacion për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sot të dy vendet tona janë në NATO dhe bashkëpunojnë për trajnime në fushën ushtarake. Gjithashtu edhe në fushën politike bashkë me institucionet ndërkombëtarë të vazhdojmë bashkëpunimin”.

Erdogan kërkoi që volumi tregtar midis dy vendeve të shkojë deri në 1 miliardë dollarë, ndërsa shtoi se bizneset turke që e shoqërojnë janë të gatshme të investojnë në Shqipëri.

“Ne dëshirojmë që kryeministrat tanë të nënshkruajnë sa më shpejt dokumentin e partneritetit strategjik. Përshëndesim progresin e Shqipërisë, këto do të jenë hove për Shqipërinë. Si duhet të zhvillohen më me shpejtësi marrëdhëniet ekonomike vëllimi tregtar të jetë në vit 1 mld dollarë, vullneti për këtë ekziston në të dy vendet. Nuk e kufizojmë vetëm tek tregtia partneritetin tonë. Investimi është 2.7 mld dollarë nga bisznesmenët turq, ne këtu kemi ardhur me një grup biznesmenësh, do jemi bashkë me ta. Në një takim t’ju shtojmë më tej inicativën atyre. Ne dëshirojmë të hedhim hapa të reja në bashkëpunimin tonë. Vendi ynë ka pasur një hov tepër të madh në ekonomi, infrastrukturë. Presim të ndërtojmë një tunel nëndet për automjetet, me dy kate, ndërtimi i tij po vazhdon me shpejtësi…Në këto 12 vjet Turqia po beson në forcat e veta realizon vepra madhështore. Jemi të gatshëm ta ndajmë dijen, informacionin dhe eksperiencën me vëllezërit tanë shqiptarë”.

Erdogan tha se në Ballkan ka disa që duan të cenojnë paqen dhe sigurinë, ndërsa fill pas kësaj drejtoi gishtin nga Maqedonia e konfliktet e fundit atje, duke i kujtuar se vetëm zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do sillte paqen.

“Folëm për Rajonin dhe Ballkanin, ka nga ata që duan të cenojnë paqen dhe sigurinë, prandaj i kushtojmë shumë rëndësi paqes, stabilitetit të Ballkanit. Ne dëshirojmë që acarimet e krijuara të zgjidhen me dialog. Të sigurohet paqja në bazë të marrëveshjes së Ohrit. Turqia ka vuajtur shumë nga terrorizimi, vijon procesi i luftës kundër terrorit me 30 vite, e dimë mirë faturën e kësaj lufte. Ne nuk dëshirojmë që një faturë e tillë të paguhet nga popuj të ndryshëm pavarësisht feve që ju përkasim. Të bëjmë dallimin e qartë mes atij që fiton nga terrori dhe atij që humbet, në fund humbasin të dyja palët, sepse lufta në fund sjell vdekjen. Çështjet në Siri dhe Irak janë pjesë të pandashme të rendit tonë të ditës”,- tha ai.

Erdogan theksoi se vendet e zhvilluara duhet të gjejnë një zgjidhje sa i përket tragjedive që po ndodhin në Detin Mesdhe dhe Egje. “Të gjithë por bëhemi dëshmitarë si fatkeqësisht po vdesin emigrantët në detin Mesdhe apo Egje. Duket qartë se çfarë qëndrimi po mban Europa ndaj tyre. Unë e them këtë si një president i një vendi kandidat në BE e them sepse jemi djegur prej këtyre gjërave. A mund të jemi të pandjeshëm ndaj këtyre njerëzve të varfër pa strehë. A nuk duhet që edhe vendet e zhvilluara të prodhojnë një zgjidhje për këta njerëz. Edhe ato kanë detyrimin e tyre. Ndaj i kushtoj rëndësi marrëveshjes në fushën e sigurisë dhe kam bindjen që është e dobishme që të zgjerohet më tej.”- u shpreh presidenti i Turqisë.

Ai u shpreh se Xhamia e Namazgjasë do përfundojë sa më shpejt dhe do u dhurohet vëllezërve shqiptarë. “Sot për mua kjo ditë është edhe më kuptimplotë. Ne dëshirojmë që Xhaminë e Namazgjasë ta përfundojmë sa më shpejt dhe tua dhurojmë vëllezërve tanë shqiptarë. Në të njëjtën kohë edhe është simbol i tolerancës që ekziston në Shqipëri. Në të njëjtën kohë sot do organizojmë ceremoninë e hapjes së xhamisë në kalanë e Prezës si simbol i trashëgimisë sonë të përbashkët.”- theksoi Erdogan.

META PRET PRESIDENTIN ERDOĞAN, KONFIRMOHET INVESTIMI PËR PËRMIRËSIMIN E INFRASTRUKTURËS SË KUVENDIT

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta priti sot Presidentin e Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen Presidentit të Turqisë Erdoğan në Shqipëri dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve si dhe miqësinë vllazërore që ekziston mes dy popujve.

Në këtë drejtim, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë si në rajon, ashtu edhe në kuadër të NATO-s, ku të dy vendet mike ushtrojnë peshën e tyre në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Kryetari i Kuvendit e cilësoi vizitën e Presidentit të Turqisë në vendin tonë si tepër të rëndësishme për raportet bilaterale, vizitë e cila nderon popullin shqiptar dhe reflekton cilësinë shumë të lartë të shkëmbimeve politike që ekzistojnë mes dy vendeve.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy parlamenteve si në nivel kryetarësh, ashtu edhe përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve të ndryshme parlamentare.

Nga ana e tij Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Turqisë dhe Shqipërisë duke vënë në dukje vullnetin e palës turke për forcimin dhe vitalizimin e tyre përmes zgjerimit të platformës multidimensionale të bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe atij shumëpalësh.

Erdoğan theksoi se Turqia është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në të gjitha fushat e bashkëpunimit si përmes qeverisë, parlamentit, ashtu edhe përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA), e cila do e mbështesë përmirësimin e infrastrukturës së funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari Meta dhe Presidenti Erdoğan ndanë bindjen në përfundim se të dy qeveritë duhet t’a thellojnë partneritetin dhe bashkëpunimin e tyre ekonomik përmes intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së prezencës së investimeve turke në rajon, të cilat hapin mundësi domethënëse punësimi dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në fushat e energjisë, shëndetësisë, agro-përpunimit dhe infrastrukturës.

RAMA TAKON ERDOGAN: NËNSHKRUAJMË DOKUMENTIN E PARTNERITETIT STRATEGJIK
Ora 15:40- Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në konferencën e përbashkët për mediat theksuan angazhimin për të rritur bashkëpunimin, ndërsa të dy shprehën dëshirën për nënshkrimin e e dokumentit të partneritetit strategjik, që sipas Ramës pritet të përfundojë


“Vitin e shkuar nuk u realizua vizita e tij edhe pse kësaj here vjen në cilësinë e Presidentit dhe me kënaqësinë që traseja e bashkëpunimit dhe marrëdhënia strategjike që Shqipëria ka me Turqinë, do njohin një nxitje të mëtejshme, në një sërë fushash. Në radhë të parë u theksua rritja e bashkëpunimit ekonomik por dhe çështjet që kanë të bëjnë me kulturën, zhvillimin, infrastrkturën”,- tha Rama.

“Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivel të dy qeverive ku të nënshkrujmë dokumentin e partneritetit strategjik”,-vijoi ai.

Ndërsa në Fjalën e tij, Erdogan nuk nguroi të shprehej se “Ndjehem sërish si në shtëpinë time”.

Duke folur për marrëveshjen strategjike, Presidneti turk shtoi se, “Pas takimit me një mik të shtrenjtë u fol për të vijuar bashkëpunimin mes dy vendeve, të hedhim hapa të rëndësishëm dhe të frytshëm. Marrëveshjen strategjike do ta firmosnim kur isha kryeministër, tani jam këtu si president shpresoj që të dy kryeministrat ta përmbyllin sa më shpejt këtë marrëveshje”.

Ai nuk nguroi të theksojë se pas pak do marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të xhamisë së Namazgjasë ku do të hedhë gurin e themelit. “Pas pak, do të hedhim themelin e xhamisë së Namazgjasë bashkë me Presidentin dhe sa i përket çështjes së rindërtimit, ripërtëritjes së Parlamentit dhe ai moment do jetë një moment kthese, sepse TIKA do ta marrë tashmë përsipër shumë seriozisht për ta kryer këtë punë. Projekti arkitektonik është gati tashmë, pas kësaj po përsëri do të kemi hapjen e xhamisë tjetër”.

NGJARJA NË KUMANOVË, NISHANI: TË FRENOHEN PËRPJEKJET PËR TA SHNDËRRUAR NË BURIM KONFLIKTI NDËRETNIK
Ora 12:30- Duke u ndalur tek bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve, Presidenti Nishani është shprehur se ka ende hapësira për investimet turke në vendin tonë. Sipas Kreut të Shtetit shqiptar, sipërmarrësit turq mund të rrisin praninë e tyre në Shqipëri në sektorë si energjia, bujqësia, logjistika, etj.

“I shpreha presidentit Erdogan mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë. Gjithashtu shprehim vlerësimin tonë për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës dhe integrimit të saj. Marrëdhënies mes dy vendeve tona janë të vendosura në baza të konsoliduar tashmë në sajë të bashkëpunimit në fushat ë ndryshme. Në ambicione e përbashkët për t’i zgjeruar këto marrëdhënie, biseduam për të gjitha fushat ku bashkëpunimi ynë ka potencial për bashkëpunim të mëtejshëm, dhe për ato fusha ku mund të ketë një kooperim më efikas.

Raportet mes dy vendeve tona shtrihen në fusha të gjera e të ndryshme, të konsoliduara tashmë. Bashkëpunimin tonë e lidh 89 marrëveshje, memorandume e traktate në fusha të ndryshme. Nga temat kryesore të bisedimeve të përzemërta ishte bashkëpunimi ekonomik, ku konstatuar se për 2014 Turqia zë vendin e 4 si partner ekonomik e tregtar për Shqipërinë.

Në 5 vitet e fundit shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve tona kanë njohur rritje, dhe investimet turke kanë arritur në mbi 1 miliard dollarë.

Në Shqipëri operojnë deri më tani 296 kompani turke në fusha të ndryshme.
Bashkërisht në vlerësuam se ka hapësira ende të pashfrytëzuara për rritjen e shkëmbimeve tregtar.

E sigurova mikun Erdogan se mirëpresim investimet turke në energji, bujqësi, logjistikë, etj. Duke vlerësuar rolin e rënësin gjeostrategjik të Shqipërisë në u ndalëm në bashkëpunimin energjetik”, tha Nishani.

Më tej Nishani theksoi se u ra dakord mbi rëndësinë strategjike të projektit TAP. “Kjo vizitë ka si synim të nxisë bashkëpunimin mes agjencive për promovimin e eksporteve. Fusha e transportit është një tjetër fushë prioritare e Shqipërisë dhe investimet turke janë të mirëpritura për investimet rrugore. Çështjet e sigurisë patën një vend të posaçëm në bisedime. Marrëveshja e sapo firmosur nga ministrat e dy vendeve i shërbejnë kësaj fryme. Lufta e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit janë sot sfida globale. Ndaj kjo marrëveshje e arritur sot mes dy vendeve aleate në NATO besoj se forcon jo vetëm bashkëpunimin dypalësh por i shërben edhe aspiratave tona. Dimensioni mesdhetar i marrëdhënieve tona dhe dinamika që shoqëroj këtë rajon ishte thelb i bisedimeve. Rreziku i terrorizmit dhe ekstremizmit kanë treguar se vendet janë të ndërvarura sa i takon rrezikut dhe nuk mund ta përballojnë të vetme këtë rrezik. Shqipëria e ka mbështetur aktivisht koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS. Ne kemi qenë ndër vendet e para që i jemi përgjigjur.”- u shpreh Nishani.

Presidenti Nishani theksoi se fokus i bisedimeve ishin edhe ngjarjet në Kumanovë. Ai shprehu ngushëllime për jetët e humbura dhe theksoi se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet të thellohet më tej. “Modeli i tolerancës fetare që kemi ndërtuar duhet ta promovojmë fort dhe ta mbrojmë me vendosmëri. Me presidentin Erdogan i kushtuam rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke njohur rolin kyç që Shqipëria dhe faktori shqiptar luan në këtë rajon ne u ndalëm edhe në ngjarjet shqetësuese në Maqedoni. Dua të shfrytëzoj këtë rast për të shprehur ngushëllimet e mia për jetët e humbura dhe duke dënuar dhunën, të theksoj se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet të thellohet më tej. U bëj thirrje faktorëve ligj-zbatues të hetojë sa më parë dhe të zbardhin shpejt dhe plotësisht këtë ngjarje plot hije dhe paqartësi që ka tronditur jo vetëm Kumanovën por edhe faktorin ndërkombëtar. Po kështu bëj thirrje për frenimin menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, në burim konflikti ndëretnik.

Ju gjendemi pranë me solidaritet të plotë qytetarëve të Kumanovës duke apeluar për vetëpërmbajtje, qetësi dhe maturi në përballimin e kësaj situate tejet të vështirë. Ashtu siç i konfirmova kolegut Shqipëria mbetet e vendosur për të punuar me të gjitha vendet e rajonit në funksion të paqes dhe sigurisë së krejt rajonit. Ky rrugëtim bëhet më i lehtë dhe qëndrueshëm me partneritet dhe ndihmën e miqve që Shqipëria dhe shqiptarët i kanë sot më të shumtë se ndonjëherë.”- u shpreh Nishani.

PRESIDENTI TURK PRITET ME CEREMONI ZYRTARE NE PRESIDENCE
Ora 10:25-
Kreu i shtetit turk nisi vizitën e tij në orën 10:25 me ceremoninë zyrtare të pritjes në Presidencë. Presidenti i Turqisë shoqërohej nga bashkëshortja e tij, ndërsa në ceremoninë e pritjes ka qëne prezente edhe Zonja e Parë, Odeta Nishani.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare, Nishani dhe Erdogan po zhvillojnë një takim kokë më kokë, i cili do të pasohet nga bisedimet zyrtare mes delegacioneve të dy vendeve dhe nënshkrimi i një marrëveshje.

Rreth orës 12:00 është parashikuar konferenca e përbashkët e kryetarëve të të dy shteteve. Ndërsa në ora 15:00, Presidenti Erdogan do të jetë i pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, në prani të Presidentit Nishani.

Rreth orës 18:15 kreu i shtetit turk do të marrë pjesë në punimet e Forumit të Biznesit Shqipëri-Turqi.

Gjatë vizitës në Tiranë, Presidenti Erdogan do të pritet në takime të veçanta nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Erdogan do të zhvillojë edhe një tryezë me biznesin. Presidenti turk Erdogan do të shoqërohet në këtë vizitë nga një grup biznesmenësh turq që pritet të jenë mbi 100.

Në fillim të marrjes së mandatit, kryeministri Rama e shpalli Turqinë si partnere strategjike të Shqipërisë. Në maj të vitit 2014 Presidenti Erdogan anuloi vizitën për shkak të një tragjedie në një miniere në Turqi, ku gjetën vdekjen 201 minatorë.

(ma.ar/a.n/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: