TURQI

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan fitoi zgjedhjet sërish, mirëpo hasi probleme të shumta në qytetet e mëdha. Partia e Erdogan, AK Parti humbi zgjedhjet në kryeqytet, në Ankara. Kryeqyteti i Turqisë ishte fituar nga partia e Erdoganit që nga viti 2001.

Si AKP dhe Partia Republikane Popullore e opozitës (CHP) pretendojnë se kanë fituar Stambollin, qyteti më i madh dhe një qendër e vërtetë ekonomike. Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke që kur erdhi në pushtet 16 vjet më parë dhe ka forcuar pozitat e tij, bëri fushatë pa pushim për dy muaj përpara votimit të së dielës, të cilin ai e përshkroi si një “çështje mbijetese” për Turqinë, shkruan “Reuters”.

Mirëpo, pavarësisht faktit se tubimet e tij janë shfaqur edhe në televizionet më të mëdha në vend, duket se nuk kanë bërë për vete qytetarët në Ankara dhe në Stamboll, dy qytetet më të mëdha të shtetit turk. “Njerëzit kanë votuar në favor të demokracisë, ata kanë zgjedhur demokracinë”, tha kreu i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu. Partia opozitare CHP mbajti gjithashtu bastionin e saj, Izmirin, qyteti i tretë më i madh në Turqi.

AK Parti ka dominuar Ankaranë dhe Stambollin për 25 vjet. Në Stamboll, kandidati i opozitës tha se ishte 25 mijë vota më shumë se kandidati i AK Parti, mirëpo edhe partia e Erdogan pretendon se e ka fituar Stambollin.

Siç raportojnë mediat, në Ankara opozita ka fituar bindshëm, mirëpo AK edhe këtu mund të “rishohë” rezultatin. Pjesëmarrja në votim në Ankara ishte shumë e lartë, 84.52 për qind. Humbja e Ankarasë bën që të goditet disi autoriteti i presidentit Erdogan, ndërsa humbja në Stamboll e godet edhe më fort Erdoganin, i cili pikërisht në Stamboll nisi karrierën politike dhe ka shërbyer si kryebashkiak i qytetit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb