TURQI – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u shpreh i trishtuar nga incidenti i rëndë ajror që përballi të martën Turqinë dhe Rusinë në kufirin sirian duke konfirmuar se do të kishte preferuar që kjo të mos kishte ndodhur.

“Jam vërtet i trishtuar nga ky incident. Ne do të kishim preferuar që kjo të mos ndodhte, por ndodhi”, deklaroi presidenti turk gjatë një fjalimi në Burhaniye.

“Shpresoj që të tilla ngjarje nuk do të ndodhin më”, shtoi ai.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës po kalojnë një krizë të rëndë që kur aviacioni turk rrëzoi të martën një avion luftarak rus shumë pranë kufirit me Sirinë.

“Rusia është po aq e rëndësishme për Turqinë sa Turqia është për Rusinë. Dy vendet nuk mund të bëjnë pa njëri tjetrin”, theksoi Erdogan.

Presidenti turk shprehu gjithashtu dëshirën për të takuar homologun rus, Vladimir Putin të hënën në Paris, në kuadër të samitit ndërkombëtar për klimën.

“Ne nuk do të lejojmë që ky problem të përshkallëzohet deri në pikën që marrëdhëniet tona të përkeqësohen plotësisht”, theksoi Erdogan.

“Samiti për klimën mund të jetë një rast për rivendosjen e marrëdhënieve tona”, deklaroi ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb