Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës dhe ka deklaruar së fundmi se Ankaraja mbështet integritetin territorial të saj dhe kundërshton aneksimin e paligjshëm të Krimesë. “Krimeja i përket Ukrainës, është pjesë e pandashme e saj dhe është një nevojë thelbësore nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare”, tha Erdogan në një videomesazh në Samitin e Dytë të Platformës së Krimesë.

“Platforma e Krimesë” është mekanizëm koordinues ndërkombëtar për Ukrainën që i mundëson asaj të tërheqë vëmendje më të madhe globale ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Erdoğan-i vuri në dukje se mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe unitetit politik të Ukrainës është e një rëndësie kyçe, jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, por edhe global.

“Sigurimi i jetës dhe mirëqenies së tatarëve të Krimesë është gjithashtu ndër prioritetet e Turqisë”, shtoi ai. Presidenti turk përsëriti se pret që zëvendëskryetari i Mexhlisit të Tatarëve të Krimesë, Nariman Dzhelijal, si dhe të paktën 45 tatarë të tjerë të arrestuar nga Rusia në vitin 2021, të lirohen. Erdogan-i tha se Turqia dëshiron të jetë ndërmjetëse në negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
“Qëllimi ynë është të organizojmë një takim mes Putin-it dhe Zelensky-it në të ardhmen e afërt për të zgjidhur krizën”, tha Erdogan-i.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb