Vizita e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte sërish temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi i”, në News24. I ftuar në studio, analisti Artur Zheji tha se Erdogan ka marrëdhënie të ndera me Brukselin dhe një pjesë e sheh vizitën e tij në Tiranë si një mjet presioni, që kryeministri Rama po përdor ndaj Brukselit.

Sa i takon ndihmës që Erdogan dha për tërmetin, një shumë prej 44 milionë eurosh, Zheji theksoi se kjo është “një shifër që kur vjen fjala te buxheti jonë i shpërdorojmë dhe i bëjmë ‘rrush e kumbulla’”.

Nga ana e tij, avokati Spartak Ngjela tha se vizita e Erdogan lidhje me ndihmën që ai na dha për tërmetin, pasi sipas tij, miqësia shihet në vështirësi, ndonëse shtoi se në politikë nuk ka miqësi. Sa i takon ardhjes së Erdogan në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ngjela u shpreh se “Tani ai nuk është aq hajvan, i paditur, të mos dijë që kastriotizmin këta e kanë këtë doktrinën e themeleve të kombit të tyre. Ku mund të vish këtu pa Gjergj Kastriotin?”.
Pjesë nga diskutimet:

Zheji: Erdogan ka marrëdhënie të ndera me Brukselin, e sidomos me Macronin. Kjo i ka shërbyer atij për politikën e tij të brendshme, që është më afër të djathtës fetare. Ky është një problem që nuk na shqetëson neve. Politika jonë heshti, me përjashtim të Doktorit, që refuzoi të ndiqte nga afër fjalën e Erdogan në Parlament. Mendoj se kjo krijon një huti dhe pjesa gri kanë ngelur në udhëkryqin e mëdyshjes, nëse është mirë të veprohet kështu, apo është një mjet presioni ndaj Brukselit, që po e përdor kryeministri.

Ngjela: Nuk na prish ndonjë punë vizita e Erdogan. Turqia ka kërkuar vetë të hyjë në BE. BE ka pasur një ngërç. Lind problemi që Erdogani plus Ramën, në këto momente, kanë një bashkëpunim disi të ngushtë, por vizita e tij në këto momente ka lidhje me ndihmën që dha për tërmetin. Miqësia duket në vështirësi. Çdo miqësi dallohet kur ti je në vështirësi. Dhe ai në vështirësi dha mbi 50 milionë dollarë dhe erdhi të inauguronte një nga ato ndërtesat. Kur ka ardhur në fillim Erdogan, donte të ishte si zëdhënës i Perandorisë Osmane, kurse Turqia nuk ka lidhje me Perandorinë Osmane. Në fillim të viteve 90, Chilleri, na ka thënë se duhet të kemi kujdes se islamizmi jonë ka ardhur nga Turqia, dhe islamizmi turk është shumë liberal. Ta dini se po të dalë historia e vërtetë e Shqipërisë, nuk ka Perandori Osmane. Pashallarët tanë e ngritën Perandorinë Osmane dhe sollën gjithë arin këtu, që e shpartalluan këta, edhe Enver Hoxha, edhe tjerët. Ka një mori të madhe personalitetesh shqiptare në Perandorinë Turke, janë rreth 16 kryeministra e vezirë të mëdhenj. Të gjithë këtë gjendje ky e vlerëson, se vjen me tendenca Osmane, por tani duket se ka hequr dorë. Turqia ka qenë një shtet laik i jashtëzakonshëm, por ky po ua prish. Ku shkonte kryeministri turk të inauguronte xhami?! Kur shkoja në vitet 90 më thonin “avokat nuk di një gjë, hoxha nuk del dot këtu”. Pra, ka qenë një shtet shumë modern. Kurse kjo që erdhi tani dhe miqësia që ka me Ramën, duhet të kemi parasysh, çdo kryeministër ka nevojë për para, miqësi reale nuk ka në politikë. Ishte dëm i madh shumë tërmeti, ku kishte para ky.

Zheji: Mendoj që 44 milionë euro, kur je në hall, janë një eficencë maksimale. Ne me 44 milionë euro bëjmë 2 kilometra rrugë. Për të na mbushur vrimat e hallit të madh, na i mbushi Erdogan, por kjo nuk mund të na bëjë neve që të ulim klasin e standardit të stekës që duhet të ketë një shtet serioz. Dhe këtu u shkua në kufi, si përkuljet e Ramës, falënderimet, për një shifër që kur vjen fjala te buxheti jonë i shpërdorojmë dhe i bëjmë ‘rrush e kumbulla’. Por, si ka mundësi që dje Vuçiç ishte dje në Ankara?

Ngjela: Të lutem Zheji se je me eksperiencë, ajo mund të jetë vendosur dy muaj para, se nuk është gjendje lufte. Por ky i yni koncidoi me përvjetorin e Skënderbeut dhe thonë që ka kaluar dhe te busti i Skënderbeut. Më parë këta e bllokuan që të mos e shohë Erdoani, madje unë e kam akuzuar Ramën se izoloi Skënderbeun, që të mos e shihte Erdogani. Shteti shqiptar dhe i Kosovës kanë një doktrinë të përbashkët dhe pa të nuk ekzistojnë, kastriotizmi. Të dy shtetet janë me kastriotizëm. Tani ai nuk është aq hajvan, i paditur, të mos dijë që këta e kanë këtë doktrinën e themeleve të kombit të tyre. Ku mund të vish këtu pa Gjergj Kastriotin? Mund të ketë shkuar Vuçiç, por këtu ka një konjeksion, se dhe Rama me Vuçiç kanë marrëdhënie të ngushta. Mund të ketë ndërhyrë Rama që të zbusë marrëdhëniet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb