Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është shprehur se Turqia nuk ka krizë dhe po ecën drejt të ardhmes duke u forcuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mos u mashtroni nga ata që thonë se ka krizë. Të gjitha këto janë manipulime, ne nuk kemi krizë. Ne po ecim drejt të ardhmes duke u forcuar. Pas kësaj, në këtë vend pagesat do të bëhen me lirën turke dhe do të jetë e vlefshme për çdo gjë lira. Këtu është Turqi dhe jo Amerikë, për këtë arsye vlefshmëria do të jetë për lirën turke ku, qiratë, tregtia shitblerjet do të bëhen në këtë kuadër”, ka vlerësuar presidenti Erdoğan, në lidhje me ekonominë në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e “Ditës së veteranëve” në Qendrën e Kulturës dhe Kongreseve në Ankara.

“Ky popull i nderuar ka hedhur këto hapa me dinjitetin e tij dhe sërish po me dinjitetin e tij do të vazhdojë të rindërtojë dhe përparojë mirëqenien e tij”, ka theksuar presidenti i Turqisë.

Erdoğan ka shtuar se populli ka qëndruar si një mburojë kur ka qenë e nevojshme përballë armikut në rastet kur atdheu ka qenë në rrezik.

Ndër të tjera Erdoğan ka theksuar se Turqia në 34 vitet e fundit po lufton në mënyrë të pandërprerë kundër terrorizmit dhe pothuajse nuk ka asnjë vend, qytet e fshat pa dëshmorë e pa veteranë.

“Populli ynë ka mbajtur një qëndrim solemn në mënyrë të pashembullt në botë përballë sulmeve tradhtare të terroristëve dhe nuk ka lejuar që organizatat terroriste të arrijnë qëllimet e tyre. Shembullin e fundit të kësaj e kemi përjetuar të gjithë më 15 korrik ku populli ynë tregoi një qëndrim dinjitoz të cili e ka treguar për shekuj në çështjen e mbrojtjes së vendit dhe popullit të tij”, tha në fjalën e tij Erdoğan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb