Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një tarifë 12.4 lekë për konsumatorët (bizneset) që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen por tension të ulët. Kjo tarifë është 12.7 për qind më e lartë se çmimi i energjisë për biznese prej 11 lekë për kilovatorë i miratuar me vendimin e dhjetorit 2014 dhe është e vlefshme deri në fund të këtij viti.

Gjithsesi, kjo tarifë është më e ulët se çmimi 14 lekë për kilovat orë që OSHEE ka faturuar deri tani bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen por tension të ulët. Prej mëse një viti, kjo diferencë në faturim ishte bërë burim konflikti mes bizneseve dhe OSHEE, teksa shumë sipërmarrje kishin hedhur në gjyq OSHEE për faturim më të lartë se tarifa e vendosur nga ERE prej 11 lekë për kilovat orë.

Në vendimin e fundit, ERE ka zgjedhur një çmim të ndërmjetëm për faturimin e kësaj kategorie të biznesit duke dhënë një tarifë 1.6 lekë më të ulët se faturon OSHEE dhe 1.2 lekë më shumë për kilovatorë se sa kishte miratuar ERE me vendimin e fillim vitit 2015.

Por bizneset ( fabrika mielli, linjat e agropërpunimit, fasonët) të cilët kanë energjisë si lëndë të parë për aktivitetin e tyre thonë se edhe tarifa e re e ERE-se prej 12.4 lekësh është sërish 34 % më e lartë krahasuar me çmimin e energjisë që këto biznese paguanin para dy vitesh para se të tarifat e energjisë të rriteshin për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Alban Zusi një biznesmen në sektorin e agropërpunimit tha se, çmimet e energjisë aktualisht zënë pjesën më të madhe te kostos së aktivitetit të tyre. Para dy vitesh tha ai çmimi i energjisë që paguante ishte 9 lekë për kilovatorë, ndërsa me ndryshimin e vitit 2015 çmimi u vu 11 lekë. Zusi tha se OSHE ka mbifaturuar rregullisht me 14 lekë për kilvatorë pa TVSH ( gjithsej 16 lekë) ato biznese që furnizohen nga tensioni i mesëm, por që faturohen por tension të ulët duke bërë që kosto të rritej për me 27 për një vit.

Zusi tha se pas vendimit të ERE për tarifën 12.4 lekë, OSSHE duhet të kompensojë bizneset që janë faturuar për 1 vit e gjysmë me 14 lekë.

Si lindi mbifaturimi
OSHEE ka kategorizuar në 2015-n shumë biznese si klientë që furnizohen nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes.

Nga llogaritjet e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ndërmarrjet kanë paguar tepër si rrjedhojë e mbi faturimit rreth 11 milionë euro në vetëm tre muaj (shkurt prill 2015), si rrjedhojë e krijimit të një grupi të ri konsumatorësh dhe rritjes së çmimit mesatar të shitjes së energjisë (shiko më poshtë detajet e shkresës dhe llogaritjeve të mbifaturimit).

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë të drejtë bizneseve dhe pretendon se operatori OSHEE duhet të bëjë faturimet sipas Tensionit të Mesëm, dhe më pas të kompensohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse.

Pas disa seancave dëgjimore ERE ka konstatuar se konsumatorët e mbifaturuar kanë të përbashkët faktin që janë të lidhur në tension të mesëm, ndërkohë që pika e matjes është pas transformimit, pra në tension të ulët. Për shkak të mospërputhejs së pikës së lidhjes me pikën e matjes, OSHEE i shkaktohet një humbje ekuivalente me humbjet në pikën e transformimit për të cilën është përgjegjës kjo kategori konsumatorësh.

Por ERE thekson se ky fakt nuk përbën argument që OSHEE të faturojë këta konsumatorë me tarifat e TU.

OSHEE nga ana sa pretendon se bazuar në kontratën e furnizimit, Kodi i Matjes përkufizon se pika e lidhjes është vendi fizik ku realizohet lidhja e përdoruesit/konsumatorit me sistemin e shpërndarjes dhe ku është realizuar pika e lidhjes dhe ku sistemi i matjes plotëson të gjitha kushtet teknike dhe të saktësisë sipas këtij Kodi. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i sqaron bizneset se pajisjet e sistemit të matjes duhet të jenë të instaluara në çdo matje (kur matja kryhet në TM) të sigurt dhe të vendosura në ambiente të veçanta apo në vende ku mund të lexohen qartë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga përfaqësues të autorizuar nga Furnizuesi.

Zgjidhja e vetme që jep OSHEE është që biznesi për të kaluar në tarifimin në tensionin e mesëm duhet të realizojë spostimin e sistemit të matjes nga tensioni i ulët në tensionin e mesëm dhe përballimi i masës së investimit do të realizohet nga konsumatorët jofamiljarë, duke zbatuar me rigorozitet kërkesat teknike të OSHEE, kodit të matjes, kodit të shpërndarjes dhe rregullores së pikës së lidhjes.(monitor)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: