“Kushtet e Christian Eriksen janë të qëndrueshme dhe të mira.” Kështu deklaroi drejtori i komunikimit i shoqatës daneze të futbollit Jakob Hoyer. Mesfushori mund të dalë nga spitali sot, tri ditë pas arrestit kardiak gjatë ndeshjes me Finlandën nëse kontrollet e fundit dalin mirë.

Portieri Kasper Schmeichel dhe kapiteni Simon Kjaer e vizituan Eriksenin në spital. “Ishte mirë ta shihje të buzëqeshte, të ndjeje se ishte aty me ne. Unë e njoh gruan e tij dhe fëmijët e tij: është një situatë absurde. Jam krenar që Kjaer është kapiteni ynë. Nuk u habita për atë që bëri me Eriksen” – u shpreh portieri Kasper Schmeichel pas vizitës në spital me Eriksen.

Më tej portieri danez shpjegoi edhe situatën e krijuar për t’u luajtur apo sfida me Finlandën: “U vendosëm në një pozicion të vështirë. Kishim vetëm dy mundësi, por ekipi nuk donte të luante.”

Uefa u përgjigj menjëherë pas kësaj deklarate: “Kemi vepruar me respektin më të madh, duke pasur parasysh delikatesën e situatës. Vendosëm së bashku me lojtarët dhe nuk kishte asnjë kërcënim për humbje në tavolinë. Nuk kishte mundësi të tjera”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb