E ka thënë disa herë se italishten e ka mësuar nga “halli”, kur nisi punë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, e mandej e ka perfeksionuar gjatë punës si Kryebashkiak i Tiranës.

Por, aftësinë e tij për të mësuar gjuhë të huaja, Erion Veliaj po e vijon, duke praktikuar frëngjishten. Në intervistën e dhënë për “Real Story” nga Sokol Balla, në News24, ai ka rrëfyer se e nis ditën e punës në orën 7 të mëngjesit, duke mësuar gjuhën frënge.

Balla: Shoh një tabelë këtu, ke filluar të mësosh frengjishten?
Veliaj: Kam filluar të mësoj frengjishten. Në fakt, batuta me gjithë kolegët e stafit ishte që Lali Eri, 4-vjeçarin e parë mësoi italishten. Unë jam te ai brezi i ndërmjetëm.
Balla: Si ka mundësi që italishten e ke mësuar kaq vonë? Vetëm ti dhe Sali Berisha e keni mësuar italishten pas ‘90-s.
Veliaj: Nuk e di, ishte bekim, apo mallkim kjo që sapo the.
Balla: Varet si e shikon.
Veliaj: Po më kapi si duket ai tranzicioni. Unë kam bërë 10-vjeç në ‘90-n. Kjo do të thotë që as isha shumë i rritur për të parë ata filmat italianë, por as nuk më kapi si gjuhë e dytë në shkollë. Kështu që italishten e mësova këtu.

Balla: Plus që keni pasur edhe momente të vështira të fëmijërisë, ndoshta fokusi ka qenë diku tjetër.
Veliaj: Ajo po e po. Por ne në Tiranë sot kemi 20 mijë italianë. Kur je Kryetar i Bashkisë së Tiranës, natyrisht duhet t’i shohësh edhe ata pjesë e elektoratit tënd.
Balla: 20 mijë italiane?
Veliaj: Rreth 20 mijë italianë. Mbaj mend në zgjedhjet e 2019-ës, kishte disa senatorë italianë me pasaportë shqiptare, që erdhën për votime, madje edhe dolën edhe thanë – Të votojnë qytetarët.
Balla: Doli edhe lajm ky.

Veliaj: Kur ke një pjesë të komunitetit, fjala vjen ne kemi kaluar pak kohë edhe me komunitetin kinez, për të inkurajuar njerëzit që ajo çfarë po ndodh me koronavirusin, nuk ka të bëjë me genin dhe nuk ka të bëjë me sjellje raciste dhe paragjykuese. Kështu që, kur je Kryetar i Bashkisë së Tiranës, vetëm me italianët që pret çdo ditë, ose një kryetar bashkie, ose një nga studentët e shumtë italianë, ose një sipërmarrës, ndaj në mandatin e parë mora leksione italishteje gratis, pothuajse çdo ditë. Kështu, vendosa një sfidë pak intelektuale për mua. Unë dal herët në mëngjes, edhe zysha ime është një zyshë e shkëlqyer, kështu që nga ora 07:00 -08:00, ose nga ora 08:00-09:00, sa nuk ka ardhur gjithë energjia e Tiranës për t’i dhënë drejtim gjërave, kam filluar frëngjishten. Ndoshta deri në qershor, do mund të bëj vet një fjalim në frëngjisht.
Balla: Deri në qershor. Mirë që nuk ke nisur gjermanishten.

Veliaj: Gjermanisht kam bërë te “Sami Frashëri”, kështu që di të flas gjermanisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb