Kryebashkiaku Erion Veliaj i është përgjigjur shqetësimit të qytetarëve në emisionin ‘’Koha për t’u zgjuar’’ me Bashkim Hoxhën në News24.

Disa prej qytetarëve hasin vonesa në pagesat si dëmshpërblime nga Bashkia për Rindërtimin, por Veliaj sqaron pse ndodh kjo.

Sipas tij 10 ditë i vonon vetëm Prefektura që i shqyrton, më pas dosjet kanë dhe probleme por thekson se 90% e qytetarëve që u prekën nga tërmeti kanë dosje të rregullta.

Ai shton se 6 mijë qytetarë kanë mbaruar punë me Bashkinë e Tiranës, teksa 1 mijë kanë shtëpi të tjera.

Veliaj thekson se brenda këtij viti në Tiranë përfundojnë shtëpitë individuale dhe pagesat për Rindërtimin, teksa apartamentet që do rindërtohen do të marrin dhe një vit më tej.

 

BASHKIM HOXHA: Dëmshpërblimi për godinat e tërmetit, kanë dalë dhe listat, por kur shkojnë në bankë nuk i janë derdhur lekët?

 

ERION VELIAJ: Ajo që ndodh është që Bashkia e Tiranës i kalon me lote. Disa herë mund të mungojë një dosje, akt konstatim. Arsyeja pse bëhet është sepse kemi një mal me gazeta ku akuzojnë njëri- tjetrin. Na duhet çdo dosje e kopsitur. Mënyra si funksionon është se përderisa shpërndan paratë e publikut, atëhere çdo gjë është e kopsitur. Vonesë tjetër është që i vonon 10 ditë në Prefekturë. Ne i çojmë aty, ata më pas kanë këtë afat. Brenda këtyre 10 ditëve paratë nuk shkojnë në postë. Nga 11 mijë aplikime, 6 mijë kanë mbaruar punë, 1 mijë kanë shtëpi të dyta dhe të treta.

Unë jam rritur në SHBA, shteti vjen të sjell një shishe ujë e sanduiç, e të thotë më pas shko te kompania e sigurimit që të të bëjë shtëpinë.

Tjetër problem është se në emër të kujt është shtëpia. Në disa raste ka konflikte familjare, janë nëpër gjyqe, dhe dosjet ngecin. 99% të rasteve dosjet shkojnë fjollë.

Afat përfundimtar është fundi i këtij viti. Ne sot japim në Petrelë shtëpinë e 62-të. Kemi dhënë dhe 3 mijë pagesa, dhe 62 shtëpi. Me shtëpitë individuale dhe pagesat mbarojmë këtë vit, apartamentet do të marrin dhe një vit tjetër.

Komisioni im është ndërruar tre herë, sepse është prekur nga COVID-19. Pra duhet ndërruar i gjithi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb