Kandidatja e Partisë së Lirisë në qarkun e Tiranës, për  Aleancën “Shqipëria madhështore”, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat ka renditur disa probleme të rëndësishme që rëëndojnë jetën e qytetarëve që jetojnë në kryeqytet.

Xhixho ka listuar të parën jetesën e shtrenjtë, që sipas saj e vendos Tiranën, në vend të parë në raport me rajonin.

Sipas Xhixhos, indeksi i Numbeos, thotë se për koston e lartë të jetesës, Tirana lë pas  Beogradin, Shkupin, Sarajevën, Podgoricën, madje edhe Sofjen dhe Budapestin.

“Kostoja e lartë e jetesës në Tiranë ndikohet më së shumti nga çmimet e produkteve ushqimore, kur dihet se shqiptarët harxhojnë më shumë se 43% të të ardhurave mujore për blerjen e ushqimeve, kanë pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon.

Kostot e strehimit janë dyfishuar. Çmimet e qirave janë rritur ndërsa blerja e një shtëpie është bërë e papërballueshme për familjet me të ardhura mesatare”, tha Xhixho.

Më pas ajo listoi ajrin e ndotur, transportin publik të rënduar, infrastrukturën arsimore, problematika të mbartura dhe pa zgjidhje, që shtojnë çdo ditë stresin e qytetarëve.

Duke ftuar qytetarët të votojnë më 11 maj ndryshimin që premton koalicioni opozitar, Xhixho theksoi se dhe programi i PL,  “5 prioritete për 4 milion shqiptarë”, si pjesë e programit të opozitës, i jep familjeve të reja mundësinë e të pasurit të një shtëpie dhe fëmijëve të tyre mundësinë për arsim cilësor, rimbursim të ushqimeve bazë, shpenzimet për shportën e bebes, ulje taksash për nënat me shumë fëmijë, gjithashtu dhe dyfishim të pagave dhe pensioneve.

(Balkan Web)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb