Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka zhvilluar një vizitë në parlamentin britanik ku është takuar me disa deputetë. Xhixho shkruan se gjatë bisedës me kolegët britanikë, ngriti edhe shqetësimin e persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës dhe izolimin politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta.
Gjithashtu ajo thekson se për të rikthyer besimin e qytetarëve tek vota e lirë, mbetet zgjidhje e domosdoshme krijimi i një qeverie teknike për të garantuar standardin e zgjedhjeve.
“🇦🇱🇬🇧Vizitat e deputetëve shqiptarë në Parlamentin Britanik janë gjithmonë një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërparlamentar; për të diskutuar dhe për të ndarë përvojat respektive, për të informuar reciprokisht njëri-tjetrin etj.
Gjej rastin të falënderoj Westminister Fondation for Democracy, që na mundësoi një vizitë shumë të vlefshme dhe dobiprurëse në Parlamentin Britanik, ku ndër të tjera pata edhe rastin të takoj zotin Martin Vickers deputet i Partisë Konservatore si dhe dhe Stephen Gethins, deputet i Partisë Kombëtare të Skocisë, të cilët i falënderova për gjithë mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Për Shqipërinë mbeten të një rëndësie jetike zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ku problemi më i madh mbetet shitblerja e votës, kriminalizimi i procesit, përdorimi i resurseve shtetërore në funksion të zgjedhjeve, presioni ndaj qytetarëve, që janë evidentuar edhe në raportet e fundit të OSBE-ODIR.
Për të rikthyer besimin e qytetarëve tek vota e lirë, mbetet zgjidhje e domosdoshme krijimi i një qeverie teknike për të garantuar standardin e zgjedhjeve.
Gjatë bisedës me kolegët britanikë, unë ngrita edhe shqetësimin e persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës dhe izolimin politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta”, shkruan Xhixho.
Ajo thekson se rivendosja e shtetit të së drejtës, kontrolli dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë, mbeten sfidat e mëdha të shoqërisë shqiptare.
“Një shqetësim tjetër që ndava me deputetët britanikë ishte edhe largimi masiv i të rinjve nga vendi, një plagë e rëndë që sa vjen e merr përmasa më të mëdha prej keqqeverisjes, korrupsionit dhe mungesës së perspektivës.
Natyrisht që nuk mund të mos ndaja shqetësimin e madh për situatën e krijuar në Kosovë prej sulmeve terroriste që dirigjohen nga Beogradi, me synimin e qartë për të krijuar destabilitet, çka shkon në favor të strategjisë së Rusisë, e cila po përdor Serbinë për të përmbushur qëllimet e veta në rajonin tonë.
Indiferenca dhe heshtja përballë veprimeve të tilla mund të inkurajojë përshkallëzim të veprimeve të koordinuara serbo-ruse në të ardhmen.
WFD Western Balkans”, deklaron deputetja e PL-së.