Rrëfimet e një të penduari drejtësie po ndihmojnë hetuesit për të rënë në gjurmët e autorëve të vrasjeve të ndodhura vitet e fundit në Elbasan, e që duket se e kanë zanafillën tek prishja e pazareve të drogës mes grupeve kriminale. Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë është prova më e fortë që çoi prapa hekurave, Erjon Alibej, i cili dyshohet si urdhërues i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj, ngjarje të ndodhura në harkun kohor të dhjetë ditëve në korrik të këtij viti.

“Në kuadër të hetimeve është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes një shtetasi dhe organit të prokurorisë. Bashkëpunëtori i drejtësisë, por edhe personat e tjerë të pyetur gjatë hetimeve, kanë konfirmuar dyshimin se Erion Alibej është porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj. Ka të dhëna që këto ngjarje kanë për motiv gjakmarrjen për vrasjen e shtetasit Endrit Alibej, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në Elbasan”, thuhet në dosje.

Nga hetimet rezulton se Erjon Alibej urdhëroi vrasjen e Runajt dhe Ramazanit, të cilët i akuzonte për përfshirje në ekzekutimin e vëllait të tij, Endritit, dhjetorin e 2 viteve më parë. Në masakrën e ndodhur në Bradashesh mbeti I vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri si dhe një shtetas turk. Dyshimet janë se shënjestra ishte Endrit Alibej, i skeduar në fushën e trafikut të drogërave të forta.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë faktin, se Alibej pagoi Euglen Halilin dhe Xhuljano Hoxhën që të ekzekutonin Regis Runaj, i cili u gjet i pajete mbrëmjen e 29 korrikut 2020 në afërsi të varrezave të qytetit. Sipas policisë, ai është goditur 27 herë më thike nga Halilaj, ndërsa Hoxha ka rolin e organizatorit. Të njëjtën persona, po kundrejt pagesës, kanë patur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Emiljano ramazanit, tek rrethrrotullimi i Luleve, në Elbasan me 20 korrik të këtij viti. Krahas detajeve për këto dy ngjarje të rënda, i penduari ka dëshmuar edhe për krime të tjera të ndodhura në Elbasan.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb