TIRANE- Deputeti socialist i Lushjës, Erjon Braçe u shpreh dje i irrituar në lidhje me aksionin e INUK për prishjen e ndërtimeve në rotondat e Çermës dhe Grabianit.

Si deputet i zonës, ai shprehet në një koment në “Facebook” se i ka kërkuar qeverisë që INUK ta ndërpresë aksionin, derisa familjet të dëmshpërblehen, por kjo nuk ka ndodhur. “Ju kërkoj shumë, shumë ndjesë, po s’kam ç’bëj, s’më lanë ta bëja punën time!”, shprehet Braçe.

KOMENTI
Është çështje drejtësie, jo çështje votash! Dua të sqaroj pozicionin tim për prishjet e djeshme dhe të sotme, të atij që ende e thërrasin INUK e që kurrkush s’e di ku varet, në rotondat e Çermës dhe Grabianit! E para, të gjitha ndërtimet që u prishën dje dhe po prishen tani në rotondat e Çermës dhe të Grabianit janë ndërtime për të cilat është lëshuar një certifikatë e ligjshme pronësie, pas procesit të legalizimit. E dyta, për të gjitha këto ndërtime ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrave për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e tyre sipas ligjeve në fuqi. E treta, për vlerat e përcaktuara si dëmshpërblim, i vënë në dijeni nga disa qytetarë të interesuar, 2 muaj më parë i kërkova qeverisë të bënte një verifikim për shkak të shpërpjesëtimeve të mëdha në vlerësim për objekte të së njëjtës natyrë, lokale dhe shtëpi banimi. E katërta, 10 ditë më parë, qeveria ka vendosur përfundimisht dëmshpërblimin dhe vlerat përkatëse si dhe institucionin përgjegjës për këtë, Autoritetin Shtetëror të Rrugëve. E pesta, tri ditë më parë, ky autoritet u ka përcjellë komunave Grabian, Dushk e Tërbuf vetëm VKM-në e qeverisë dhe asgjë tjetër. E gjashta, banorëve të shpronësuar nuk i është paraqitur nga institucionet e qeverisë deri dje, asnjë njoftim për dëmshpërblimin, vlerat, procedurën e marrjes së parave, dokumentet që duhen plotësuar, afatin e kryerjes së të gjitha këtyre, asnjë! E shtata, banorët e kanë mësuar këtë procedurë vetëm dje dhe vetëm nga unë. E teta, pavarësisht se nuk kanë asnjë njoftim për shpronësimin dhe nuk kanë marrë asnjë qindarkë për shpronësimin e pronës së tyre të ligjshme, dje INUK ka nisur prishjet e objekteve në të dyja rotondat. E nënta, unë në cilësinë e deputetit të kësaj zone, dje kam komunikuar në vazhdimësi me zëvendëskryeministrin për të ndaluar prishjet në kushtet kur pronarët, veçanërisht të banesave, nuk kishin përfituar asnjë qindarkë nga shpronësimi, për të gjetur një mundësi tjetër për t’u zhvendosur bashkë me sendet e tyre të jetesës. E dhjeta, bashkë me zëvendëskryeministrin ramë dakord që të ndërpriteshin prishjet deri në momentin që pronarët e objekteve do të merrnin paratë e dëmshpërblimit, njëherësh angazhova të tre kryetarët e komunave respektive për të njoftuar një më një pronarët e objekteve për procedurat që duheshin përmbushur për të marrë paratë e dëmshpërblimit. Sot, që në sabah, ditë e shtunë e kur çdo institucion është “pushim” deri të hënën, njësitë speciale të atij që quhet INUK kanë nisur prishjet në rotondën e Çermës! Merrini si të doni këto radhë që po shkruaj, por do të doja ta merrnit si: dufin e një deputeti që e ka të pamundur të bëjë punën dhe të përfaqësojë ligjërisht banorët e zonës së tij! Shikoni, ka qenë krim ndërtimi i objekteve në anë të rrugës, veçanërisht në rotonda, ku kanë rrezikuar pa fund jetë njerëzish, ka qenë krim legalizimi i tyre nga qeveria e Sali Berishës, po për mua kanë fare pak rëndësi këto tani, kur qeveria ime nuk ka çuar e nuk po çon para drejtësisë zyrtarët që i kanë kryer këto krime në Lushnje. Nuk më duhet e nuk i vlen kurrkujt, madje unë e neveris arrogancën, arbitraritetin, forcën, ndaj njerëzve të dakordësuar me shpronësimin, dëmshpërblimin dhe prishjen e objekteve të tyre, me marrjen e parave! Nuk është e drejtë! Nuk është e ligjshme! Nuk është njerëzore! Tani s’më ngelet gjë tjetër veç t’u kërkoj një ndjesë shumë të madhe, familjeve XHEPA, familjeve KOKJA, familjeve KAJA, familjeve LILA, familjeve XHEPEXHIU, pronarë të objekteve të prishura dje dhe sot! Ju kërkoj shumë, shumë ndjesë, po s’kam ç’bëj, s’më lanë ta bëja punën time!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: