Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, duke folur për fushatën elektorale, deklaroi se dy partitë kryesore në vend, PS dhe PS nuk kanë program të shkruar.

Murati thekson se shumica e shqiptarëve ende nuk e dinë sesi votohet, kurse shtoi se politika gënjeu popullin për votën e emigrantëve.

“Fushata është e qetë dhe deri diku normale, në raport me standardet shqiptare. Ka pasur incidente të izoluara, por duket fushatë e qetë. Aktorët në garë kanë mbajtur qëndrim deri diku korrekt, për të mos përshkallëzuar dhunën.

Është fyese që nuk kemi ende një model të fletës së votimit. Mendoj se në zgjedhje do ketë shumë vota të pavlefshme. Shqiptarët ende nuk e dinë si do votohet. Sipas sondazheve, rreth 30 përqind e publikut nuk e dinë sesi votohet. Besoj që mund të ndodhë si në Kosovë, kur ka ndodhur që ka pasur 10% vota të pavlefshme. Kjo vjen nga mungesa e informimit për mënyrën e votimit.

PS dhe PD nuk kanë program elektoral të shkruar. Po të hyni në PS.al dhe PD.al nuk keni një dokument të shkruar. Latini thotë “scripta manent”, e shkruara mbetet. Nuk ka ballafaqim të ideve. Është fyese që të dyja palët politike që gënjejnë çdo vit për votën e emigrantëve”, tha Murati.

Erl Murati nënvizon se politika shqiptare nuk frymëzon, ndërsa shtoi se liderët në Shqipëri perceptohen si të korruptuar.

“Politika shqiptare nuk frymëzon, sepse liderët perceptohen si të korruptuar. Nëse një politikan është i korruptuar, nuk mund të bëjë asgjë. Nuk mund të presim zgjedhje perfekte, pasi edhe në SHBA u rrezikua lufta civile, sepse rreziku përherë ekziston.

Besoj se nëse diferenca është dy a tre deputetë, pala humbëse do përpiqet që të bllokojë zgjedhjet. Deri tani, situata duket se është normale. Sa i përket pandemisë, ne duam të jemi të kënaqur, nëse rastet e infeksioneve janë ulur. Vaksinimi nuk duhet që të politizohet”, u shpreh Murati.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb