Gazetari Erl Murati, i ftuar në studion e lajmeve në News 24 komentoi garën e ngushtë presidenciale në SHBA, ku pritet që pas numërimit të zgjidhet Presidenti i 46-të i SHBA-ve.

“Këto janë zgjedhje të pazakonta, rezultati është mjaft i ngushtë, kemi parë një përballje tjetër të ngushtë edhe mes Trump e Hilary Clinton. Për shkak të sistemit që përdor SHBA, pavarësisht se vota popullore ka qenë më e madhe për demokratët president u zgjodh Trump, pra kandidati tjetër, vijon të jetë i njëjti sistem dhe do të duhet të presim”,- tha Murati.

Sa për deklaratën e Trump se votat po vidheshin dhe se ai do i drejtohej Gjykatës së Lartë, Murati tha se kjo deklaratë ngjan më shumë me realitetin shqiptar të zgjedhjeve.

“Gjithkush e ka përcaktuar si një lloj shqiptarizimi të garës presidenciale në SHBA për shkak të deklaratave të bëra nga Trump. Deri në këto momente kryeson Biden në votë popullore, sondazhet e djeshme flisnin për epërsi të Biden deri në 8%, por realiteti po rezulton tjetër. Sondazhet ia dolën të dështojnë me sukses. Ka një teori se një pjesë e votuesve të Trump kanë frikë ta shpallin votën e tyre, pra kanë turp, por pala tjetër e shikon si një teori konspitrative dhe vihet pikëpyetje mbi paanësinë e këtyre sondazheve.

Por çfarë rëndësie kanë shtete të caktuara në këtë garë? Murati thotë se, “Një interpretim që lexova është se edhe nëse arrin ta mbajë Trump Pensilvaninë, ka mundësi që me shtetet e tjera Biden të marrë presidencën, por mund ta fitojë me 271 vota elektorale. Vetëm nëse Trump arrin të kthejë edhe diferencën e votuesve në Michigan e fiton një mandat të dytë”.

Sipas Muratit, Biden rezulton të jetë më i përkushtuar, ndërsa Trump më indiferent ndaj Ballkanit.

Marrëdhënieve shqiptare do i bënte më mirë një person si Biden, njohës i problemit shqiptar në Ballkan dhe mbështetës i Kosovës. Ndërsa për Trump nuk po them se është antishqiptar, por Trump i dha leje deri diku administratës së tij të shqyrtonte mundësinë e diskutimit të kufijve të Kosovës.

Nga ana tjetër në këtë garë, ai tha se, klasa politike shqiptare ia ka dalë të qëndrojë indiferente.

“Kësaj here kanë arritur ta mbajnë gjuhën brenda dhëmbëve. Një politikan i mençur nuk mban anën e askujt në një garë. Nuk po jep vlerësim për Korenë e Veriut apo Iranit, por për një vend aleat, do të ishte e pazgjuar që të pozicionoheshin. Albin Kurti deri tani e ka deklaruar votën pro Biden kurse krerët e shtetit janë treguar të rezervuar”,- vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb