TIRANË – Për Erl Muratin, kryeredaktorin e “Gazetës Shqiptare”, deputeti Tom Doshi “e ka fituar në mënyrë simbolike betejen e tij, jo vetëm me Berishën dhe Topallin, por edhe më ambasadën amerikane. Tani topi është në anën e drejtësisë,” është shprehur Murati në rubrikën “Opinion” të “News 24”.

Pikërisht këtu, tek drejtësia, Murati e humb besimin se ajo do të hedhë dritë mbi të vërtetat, akuzat e ndësjellta. Sipas tij, për këtë flasin “lëvizjet e çuditshme dhe komike që unë pashë sot, kur Kryeministri, një ndër të akuzuarit nga Doshi, thërret Prokurorin e Përgjithshëm në zyrën e tij në një kohë kur Llalla duhej ta thërriste atë. Çfarë kuptimi ka që Rama dhe Meta të marrin në pyetje kryeprokurorin në zyrat e tyre kur janë të akuzuar dhe duhej të thirreshin prej tij për të dëshmuar?! Në këtë aspekt, mendoj se prokuroria i ka duart e lidhura,”- theksoi ai.

Ndërsa, në aspektin politik, Murati tha se “Ramës i takon të thotë se kur e ka konstatuar se Tom Doshi është i lidhur me krimin dhe sipas cilit nen të statusit të PS-së e ka shkarkuar. Vërtet po flitet për dekriminalizmin, por ai nuk bëhet duke ekzekutuar kriminelë, ndaj i takon Prokurorisë të thojë fjalën e saj. Tom Doshi ka qënë mik i afërt me Ramën dhe s’mund të vazhdohet me këtë kod heshtjeje. Ata duhet t’i përgjigjen pyetjeve: Doshi se pse donin ta vrisnin dhe Rama, pse e përjashtoi. Ishte mjaft e dukshme që Rama na dha një arsye shumë patetike,” – vërejti ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb