Analistë dhe politologë, të ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, diskutuan për faktin që SHBA ka shpallur tashmë non grata ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kryeredaktori i GSH, Erl Murati theksoi se nëse Berisha do t’i bëjë një shërbim të mirë PD-së, duhet të mos e marrë mandatin e deputetit. Ndërsa, Minxhozi nënvizoi në mënyrë figurative se SHBA-të kanë kapur dashin e kopesë.

Erl Murati: Duke u nisur nga raporti i Berishës dhe Bashës, pritej ky reagim, madje duke parë raportin, është reagim i guximshëm. Qëndrimi i PD ka qenë i Berishës dhe i Bashës, i të dyve. Basha e ka mbajtur në mënyrë teknike PD-në, por edhe Berisha ka dhënë mendime për disa vendime. Është qëndrim deri diku korrekt. Vendimi i SHBA e ndihmon PD-në në efekt afatgjatë. Do ishte e udhës që Berisha të mos merrte mandatin e deputetit, të lihej mënjanë dhe ta linte Bashën të pavarur dhe autonom. Nëse Berisha do që t’i bëjë shërbim PD-së, duhet të mos marrë mandatin e deputetit.

Roland Lami: Deklarata godet të tashmen dhe jo të shkuarës, sepse Berisha vazhdon të jetë një politikan me peshë në PD. Është një person i kuotuar në PD, në kuptimin e mbështetjes. Basha rezervohet në fjalët për Berishën. Berisha ka impakt brenda Partisë Demokratike. SHBA i ka krijuar Bashës mundësinë që të çlirohet në vendimet që ndërmerr. Edhe atë në PD duhet të mendojnë pak ndryshe, t’i japim frymëmarrje Partisë Demokratike, mos ka ardhur momenti që trajektorja në PD të ndryshojë.

Fatos Lubonja: Nuk jam dakord me këtë. Basha po imiton Berishën e liderit absolut. PD ka nevojë që të hapet, mos jetë parti e një pronari të vetëm, por të ketë edhe fraksione.  Kjo që po i bëhet sot opozitës, është dobësim i opozitës.

Roland Lami: E forcon opozitën shpallja non grata nga SHBA e Berishës, sepse PD sot ngjan si në vitin 2017. PD nuk duhet të mbyllet në vetvete, duhet të vetëreformohet.

Skënder Minxhozi: Nuk është teori e Ramës se Berisha drejton në PD. Kjo opozitë dikur ka qenë institucionale, tani është bërë rrugore. Violinë e parë fare në PD ishte Berisha. PD ka problemin e një drejtimi me dy koka. SHBA ka kapur dashin e kopesë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb