TIRANË

Gazetari Erl Murati mendon se rregullat dhe hilet politike, quajini si të doni që janë miratuar në parlament, sigurisht që unë mendoj se do ndikojnë në rezultatin e ardhshëm të partive dhe kampeve politike.

Duke folur në “Real Story” në News24 për votimin e Kodit Zgjedhor të hënën nga maxhoranca dhe disa prej deputetëve të opozitës parlamentare, Murati tha se është i keqardhur që Kushtetuta bëhet në mënyrë të njëanshme dhe ndryshon në favor të interesave politike individuale.

“Gjithë kjo është si pasojë e bojkotit të PD-së. Kjo në fakt është fatura që po paguan opozita ekstraparlamentare. Braktisja e parlamentit dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet e pushtetit vendor kanë qenë dy lëvizje që kanë ngjallur dhe interesin e faktorit ndërkombëtar. Ata nuk mund të lejonin që bojkoti, mospjesëmarrja të rezultojë në favor të bojkotuesve. Është fakt që gjatë javëve të fundit deklaratat e faktorit ndërkombëtar, kanë qenë duke i dhënë legjitimitet juridik aktit të parlamentit. Reagimi i kryetarit të PD-së ishte më i shkurtër dhe i koncentruar edhe se reagimi i ambasadores amerikane.
Nëse në fund të këtij procesi dialogu do të kishim një produkt të njëanshëm pse opozita e bashkuar i dha legjitimitet duke u ulur në tryezë. PD dhe opozita e bashkuar sot thonë që nuk kanë rëndësi taktikat elektorale sepse ne kemi votën popullore. Maxhoranca u investua për të miratuar rregulla në mënyrë të njëanshme. Kjo tregon që kampet politike mund të jenë afër si peshë.
Rregullat dhe hilet politike, quajini si të doni që janë miratuar në parlament, sigurisht që unë mendoj se do ndikojnë në rezultatin e ardhshëm të partive dhe kampeve politike.
Më vjen shumë keq që jetojmë në një vend që Kushtetuta bëhet në mënyrë të njëanshme dhe ndryshon në favor të interesave politike individuale të një personi që është kryeministri dhe një partie politike. Si parim them që historia politike e pluralizmit shqiptar ka treguar që kemi pasur liderë që e kanë përshtatur legjislacionin. Janë ndryshuar disa ligje në favor të disa oligarkëve. Në këtë vend kemi një traditë jo shumë të fisshme ku ligjet e vendit nuk i përshtaten nivelit demokratik të vendit. Jam i keqardhur që palët bëjnë akte që mund të jenë legjitime por nga pikëpamja morale mund të jenë të dëmshme për shoqërinë”, tha Erl Murati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb