NGA ADELA XHAMANI*

Ata ishin të fituar qysh kur i gjithë publiku i Pallatit të Kongreseve këndonin njëzëri këngën “Shko”. Ndodh thuajse
gjithmonë me këngët fituese, ato që të mbesin në vesh me dëgjimin e parë. Momenti i triumfit të këtij edicioni të “Top Fest”, kur u thirrën emrat e Ermal Fejzullahut, Ledri Vulës e Lumi B, ishte emocionues për të gjithë. Po për vetë djemtë nga Prishtina? Ata kanë zgjedhur të rrëfejnë për herë të parë përjetimin e tyre në këtë numër të “Vip Pages”, duke na treguar se u nisën drejt Tiranës për t’u argëtuar e për të shijuar çdo moment, duke e çuar vazhdimisht mendjen te finalja e fitorja. Të tre artistë të afirmuar, të rinj, modernë, me një numër të madh fansash që i ndjekin prej vitesh, të dielën këngëtarët nga Prishtina shtuan në bllokun e kujtimeve një ndër çastet më të bukura të karrierës. Urime edhe nga ne!
Djema na tregoni pak, sa e prisnit fitoren e “Top Fest”? Cili nga ju u zgjua të dielën në mëngjes me parandjenjën se do të fitonit?
Ne jemi shumë të lumtur pas fitores që arritëm në “Top Fest” dhe për këtë falenderojmë si drejtuesit e festivalit që vlerësuan performancën tonë, ashtu edhe fansat tanë, të cilët na mbështetën që nga fillimi. Ne që të tre të dielën jemi
nisur për Tiranë me ndjenjën që të kalojmë sa më mirë dhe të argëtohemi, mirëpo në mendje vazhdimisht e kishim edhe idenë që fitorja në “Top Fest” do të ishte e arritur e madhe për ne.

Çfarë ndjesie është kur një artist fiton festivalin? Si jeni ndjerë kur Ledioni thirri emrin tuaj?
Meqë paraprakisht u dhanë të gjitha çmimet dhe ne deri në fazën e fundit veçse i pranuam edhe dy çmime tjera, thirrja e emrit tonë nga Ledioni ishte ndjenjë e papërshkruar, kështu që edhe një herë falënderojmë organizatorët e “Top
Fest”-it për një festival me përmasa ndërkombëtare.

A morët urime nga kolegët? Kishte xhelozi në shikimet apo fjalët e tyre atë natë?
Me të t’u thirrur emri ynë si fitues, në celularët tanë menjëherë kanë arritur shumë mesazhe urimesh nga kolegët tanë gjithandej, pastaj familjet, miqtë, si dhe nga shumë fansa. Krejt çfarë kemi mundur të shohim atë natë ka qenë një festë e gjatë dhe e paharruar, kështu që nuk kemi menduar fare për xhelozitë.
Kujt prej tyre ia kishit më shumë frikën? Nëse nuk do fitonit ju, kush mendoni se do e merrte çmimin e parë?
Nuk kemi menduar në aspektin e konkurrencës, sepse i vlerësojmë që të gjithë konkurrentët, kanë dhënë maksimumin dhe kanë dalë mirë. Ndërsa sa i përket se kush do të mund të fitonte nëse ne nuk do të ishim të parët, mendojmë se
shumë nga ata që ishin pjesë e “Top Fest”-it patën çfarë t’i dhurojnë publikut gjithëshqiptar.
Ermal, çfarë të tha babi?
Hahaa… Sigurisht se ndër të parët që më uroi fitoren ishte babai im, i cili ishte shumë i lumtur për fitoren tonë, mirëpo këtu nuk dua ta harroj edhe nënën, e cila në vazhdimësi më ka përkrahur.
Po ty Ledri ç’të tha e dashura?
(Qesh).
Lumi, ti falënderove familjen dhe publikun. Mos harrove pa përmendur ndonjë njeri tjetër të rëndësishëm?
Unë konsideroj që në fjalën falënderuese i kam përmendur që të gjithë, por dua që përmes jush edhe një herë të falënderoj organizatorët për një organizim brilant, si dhe fansat e mi gjithandej.

Disa këngëtarë shfaqën vështirësi në të kënduar në skenën e “Top Fest”. Për ju sa e vështirë ishte të këndonit ‘live’?
Ishte e vështirë, pasi që të gjithë kishim emocione para një publiku të mrekullueshëm dhe “Top Fest” na bëri që në skenën e tij të ndjehemi sikur po performonim në një festival me përmasa ndërkombëtare.
Si mendoni, pse shqiptarët e duan kaq shumë këtë këngë?
Konsiderojmë se mesazhi i këngës është shumë i qartë dhe i dashur për të rinjtë dhe jo vetëm, pastaj edhe paraqitja jonë mbetet vlerë e shtuar, duke bërë që shqiptarët në të katërta anët e botës të mishërohen me “Shko”.
A mendoni se do të kishit këtë sukses nëse nuk do të këndonit të tre bashkë?
Fansat tonë e vlerësojnë lart edhe performimin tonë individual, kështu që bashkimi ynë në një projekt si
kënga “Shko” e ka bërë më të fuqishëm paraqitjen tonë dhe mesazhin që kemi dashur të japim.
Si pritet të jetë kjo verë për ju?
Uhhh… Asnjë datë e lirë, koncerte pafund!

Keni planifikuar pushime, apo veç punë?
Vera për neve fillon në tetor!

 

(m.k/VipPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: