Detaje të reja në lidhje me operacionin e shpëtimit të 17-vjeçarit, alpinist amator që u rrëzua në malin e Murganës në Sotirë të Gjirokastrës i bëri me dije për News24 dhe BalkanWeb, prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote.

Zoti Kote, që e ka ndjekur nga shumë afër gjithë operacionin tregon se operacioni për shpëtimin e të riut Ergys Koçi që ra nga lartësia nuk ishte i lehtë. Krahas policisë, autoriteteve vendore dhe grupit të mjekëve, në ndihmë kanë ardhur edhe tre banorë të zonës.

“Së pari, dua të sqaroj që ishte një tur alpinistik nga të gjitha rrethet e vendit. Zhvillohej në malin e Murganës, pjesa më fundore e Shqipërisë në kufi me Greqinë dhe i mbuluar me borë gjatë gjithë kohës. Autobusët dhe automjetet e tyre ishin në Sotirë. Për incidentin morëm vesh rreth orës 16:45 dhe menjëherë mobilizuam mjekët, policinë dhe autoritetet vendore. Kam qenë edhe vetë në Sotirë deri në gjetjen e të riut Ergys Koçi.

Në kushtet e errësirës dhe erës së madhe e vështirë të lokalizohej dhe gjendej. Na erdhën në ndihmë edhe tre banorë një prej tyre bari, mundëm ta shpëtojmë dhe po e transportojmë drejt spitalit”,- tha ai.

Po sipas Kotes, “17-vjeçari që ka rrëshqitur ka qenë bashkë me një grup, ai ka rënë nga një lartësi dhe është përplasur me një shkëmb. Fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Shpresojmë që nuk ka dëmtime të tjera”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb