Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjen e targave në mënyrë paqësore “gjatë ditëve në vijim”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se si i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, janë të angazhuar që Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun e BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë, me shpresën që ata mund ta zgjidhin këtë çështje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price duke u përgjigjur në pyejtjen lidhur me afrimin e përmbylljes së procesit të riregjistrimit të targave.

Zëdhënësi i DASH-it përsëriti se SHBA-ja mbështet dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Mesazhi ynë ka qenë i qëndrueshëm. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, i dërguari ynë [për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, vetë sekretari [amerikan i Shtetit, Antony Blinken] ka qenë jashtëzakonisht i angazhuar në këtë çështje. Ai ka biseduar edhe me presidentin serb, [Aleksandar] Vuçiç, edhe me kryeministrin kosovar, [Albin] Kurti, më herët gjatë këtij muaji. Ai theksoi mbështetjen tonë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet nga BE-ja. Ai i inkurajoi palët që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv për të siguruar paqe dhe stabilitet në mbarë rajonin”, tha Price.

Escobar qëndroi në Kosovë dhe Serbi javën e kaluar. Në Prishtinë, ai deklaroi se SHBA-ja dhe shtetet e tjera të QUINT-it (Mbretëria e Bashkuara, Italia, Franca dhe Gjermania) po kërkojnë që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj afatin për riregjistrimin e makinave.

Më 1 shtator, autoritetet në Kosovë nisën procesin e riregjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.

Por, deri më tani, interesimi i serbëve në veri të Kosovës ka qenë i ulët për t’i marrë targat RKS.

Escobar po ashtu deklaroi se nuk ka marrë ndonjë zotim për kërkesën për shtyrjen për 10 muaj të këtij procesi që pritet të përmbyllet më 31 tetor.

“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, tha ai.

SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet, teksa po afrohet data 31 tetor.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, në Kosovë u rritën tensionet, pasi autoritetet në Prishtinë paralajmëruan zbatimin e dy vendimeve, atë për targat dhe për dokumentin për hyrje/dalje. Pakënaqësitë për këto vendime bën që serbët lokalë në veri të bllokonin rrugët.

Por, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, Kosova u pajtua të shtynte zbatimin e vendimeve për një muaj. Ndërkohë, Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshje për dokumentin për hyrje/dalje.

Përveç Escobarit, edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 22 tetor qëndroi në Prishinë.

“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak, duke iu referuar çështjes së targave.

Besohet se në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, qarkullojnë afër 10.000 makina me targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës sikurse PR, PZ, KM e të ngjashme.

Qeveria në Prishtinë ka deklaruar se këto makina nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës pas datës 31 tetor./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb