TIRANË

Një vendim arbitrar e ka cilësuar gazetarja Klodiana Lala konfiskimin e dy godinave të Prestige Resort.

E ftuar në “Task Force” në SyriTV, gazetarja Lala deklaroi se ka disa arsye se përse ky vendim është arbitrar dhe se është cenuar parimi i sigurisë juridike.

“Ky rast na tregon që së pari është cenuar parimi i sigurisë juridike. Arbitri është gjykata. Gjykata nuk e ka thënë ende fjalën e saj se ku është problemi dhe cila nga palët ka të drejtë. Përderisa nuk ka një vendim gjykate është shkelje.
Ka një urdhër të MSH dhe MF sipas tyre duhet të kalojnë dy prona në administrim shtetëror për të kaluar aty persona me aftësi të kufizuara. Përtej është që ky urdhër i përbashkët është atakuar në Gjykatën administrative nga ana e kompanisë Erjoni shpk. Gjykata, gjyqtarja Afërdita Maho ende nuk është shprehur me vendim gjyqësor. Nëse gjykata nuk do të merrte një vendim në favor të kompanisë, atëherë institucionet shtetërore mund të vepronin. A mundet që një kompani në një përplasje të tillë të bënte tjetërsim prone? Nuk mundet ta bëjë kurrë.
Është arbitrare që nuk pritet vendimi i gjykatës, që sot është një ditë feste zyrtare, që sot është një festë fetare”, tha Lala.

Sipas saj, qytetarëve dhe opinionit publik nuk i është dhënë mundësia të kuptojë se cila nga palët ka të drejtë.

“Kjo vjen pak ditë pas raportit të DASH. DASH thotë se korrupsioni është kthyer në endemik dhe është shtrirë në të gjitha institucionet si qendrore dhe vendore. Raporti i DASH trajtonte çështjen e mosfunksionimit të reformës në drejtësi.
Nëse nesër Hysenbelliu Group do të shkojë në Arbitrazh dhe ta fitojë këtë çështje çfarë ndodh. Kush paguan? Edi Rama nuk do jetë gjithë jetën kryeministër. Tjetra, po vendoset një precedent rrezikshëm për të ardhmen”, tha Lala.

Ajo nënvizoi dy standardet me të cilat vepron shteti.

“Kemi disa njerëz me kapuça në kokë që shkojnë me forcën e ligjit. Konfiskimi do të thotë që z.Hysenbelliu duhet të jetë i dënuar për një vepër penale dhe kjo pasuri të ketë rrjedhur nga aktivitet kriminal. Nuk ka asnjë akuzë për z. Hysenbelliu.

Ne kemi pasur në mes të kryeqytetit pallate shumëkatëshe pa leje të cilat nuk janë prekur, por iu është dhënë pronarëve e drejta e parablerjes. Sot po flasim për një biznesmen që ka pas media, por nesër mund të jetë një qytetar”, tha Lala.

Ajo theksoi më tej se nëse mbetemi me sisteme të vjetra drejtësie kemi mbetur në pikën zero.

“Prestige Resort na tregon që drejtësia është e pafuqishme për të dalë para pushtetit. Nuk bëhet fjalë për Edi Ramën por për institucionin e kryeministrit.
Duhet të biem dakord me diçka, media ka probleme. Paradite ne ishim në SPAK dhe kolegët ishin të shqetësuar. Kur sheh një revansh të tillë normal që shqetësohesh. Thirrja ime për institucionet është që të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin sepse para drejtësisë nesër do të jenë të vetëm, nuk do jenë as me kryeministrin as me pushtetin”, tha Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb