Partizani luan nesër me Dinamon në “Selman Stërmasi”. Sfida e orës 16:45 vlen për javën e 31 në Superligë, me zëvendëstrajnerin e të kuqve, Fatjon Tafaj që ka dalë përpara medieve.

Tafaj ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarët, paçka renditjes. Për Tafaj, cilësia e lojtarëve të stolit nuk është e njëjtë me titullarët që luajnë te Partizani.

“Dinamo – Derbi mbetet një ndeshje derbi, pavarësisht pozicionit në klasifikim që ka Dinamo. Derbi është një ndeshje që duhet vlerësuar në maksimum, kanë lojtarë me kualitet njësoj si ne, por duhet të marrim maksimumin e kësaj ndeshjeje.

Tifozët dhe ana psikologjike – Dua t’i bëj një thirrje tifozëve sepse janë një mbështetje shumë e madhe për ne, futbolli luhet për tifozët. Nuk kemi qenë të qetë psikologjikisht përpara portës, mendoj se këtu ka ndikuar dhe ndeshja e Kupës.

Objektivat – Me ekipet që kanë qenë sipër kemi bërë shumë mirë, ndërsa me skuadrat që kanë qenë më poshtë në tabelën e renditjes kemi gabuar. Janë gjashtë ndeshje deri në fund të kampionatit, ne duhet të japim maksimumin që të marrim pikët e plota ndryshe Europa do të jetë shumë larg. Duhet të shpresojmë që Kupën ta fitojë Laçi dhe ne të përfitojmë nga vendi i katërt, por edhe vendi i katërt nuk është i sigurt. Të gjitha ndeshjet do të jenë një finale për ne.

Ndeshja me Dinamon duhet vlerësuar maksimalisht. Është një fat i keq për kampionatin shqiptar që Dinamo ka shkuar në këtë pikë sepse emri i klubit nuk e meriton. Nuk dua aspak ta mendoj që do të marr minimalen e pikëve këtë ndeshje.

Lojtarët zëvendësues – Mbase nuk e kemi atë kualitetin në pankinë, sepse lojtarët e pankinës dhe lojtarët startues duhet të jenë të barabartë. Në pjesën ofensive ne kemi më shumë problem, nëse do të zëvendësohet ndonjë sulmues nuk e kemi atë kualitetin që ka ai që është titullar.

Statistikat – Nga statistikat që janë, Partizani ka qenë një nga ekipet më të mira, vuajmë me ekipet që rreshtohen me 9 apo 10 lojtarë prapa sepse nuk e kemi atë cilësinë në 20 metrat e fundit për situatat.

E ardhmja si trajner i parë – Një trajner mund të jetë gati kur e ndjen. Trajningu në Shqipëri është shumë i vështirë. Momentin e parë kur bën mirë, do të kesh një ecuri shumë të mirë. Momentin e parë që bën keq ecuria jote do të jetë e tillë. Unë duhet të jem shumë i matur për hapin që do të bëj. Për momentin nuk e kam menduar, po punoj te Partizani dhe do të jap maksimumin për të, për të ardhmen do të shoh”, tha Tafaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb