TIRANË

“Është drithëruese ajo që po ndodh. Unë jam vetë nënë dhe kur dëgjoj raste të tilla dhe vetë kam konfliktin e mendimit, a i duhet dhënë dënimi maksimal këtyre personave? Një fëmijë 6 vjeç të dhunohet në atë mënyrë është shtazarake, e tmerrshme. Nuk e di çfarë prindi mund të jetë ai”.

Kështu shprehet deputetja e PD-së Albana Vokshi teksa komentoi në “Frontline” në News24 rastet e fundit të abuzimit të fëmijëve. Ajo theksoi se rritja e dënimit apo shtrëngimi i masave nuk ka rezultuar me uljen e rasteve të dhunës dhe se duhen një sërë masash.

“Nuk jam e bindur që rritja e dënimit, e penaliteteve për përdhunuesit shkon në përpjesëtim të drejtë me uljen e rasteve të dhunës. Janë shtrënguar edhe më parë masat ndëshkuese nga përdhunuesve, por nuk ka rezultuar me uljen e rasteve të dhunës. Duhen një sërë masash”, tha Vokshi.

Sipas saj duhet të funksionojë mekanizmi i referimit të dhunës, gjë që nuk ndodh.
“Është një diskutim që ka vite dhe ka ngelur pezull, asgjë nuk është bërë për funksionimin e një mekanzimi të tërë të referimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave. Është një mekanizëm që funksionon në nivel qendror por sidomos në nivel vendor. Janë një sërë institucionesh dhe shoqatash që duhet të rakordojnë punën dhe duhet ta parandalojnë dhunën. Në rastin e parë që merret vesh që është një tentativë dhunimi e një fëmijë apo një gruaje, duhet që i gjithë sistemi të funksionojë. Këtu nuk funksionon.
(Për rastin e Kamzës) Drejtori i shkollës e ka ditur dhe nuk e ka referuar. Ka persona të caktuar që nuk e kanë bërë punën e tyre. Nuk e di çfarë ka ndodhur me drejtorin apo me psikologët. Vetëm një mësuese e ka kryer detyrën me përkushtim dhe jashtë sistemit. Nga shkolla nuk është referuar zyrtarisht, ndaj është agravuar situata që e kanë dërguar fëmijën në 2 të mëngjesit në kushte të rënda shëndetësore”, tha ajo.

Por a është shoqëria shqiptare indiferente?
“Shoqëria shqiptare është me indiferente se ç’duhet dhe në protestën për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës shumë pak dolën. Mendoj që është për shkak të rritjes së varfërimit në Shqipëri, për shkak se duhet të mendojnë për gjëra më bazike të jetës së tyre. Mendoj që shoqëria shqiptare ka arritur në një pikë që për aq kohë sa mua nuk më prek, familjen time nuk e prek pse të dal.

Protesta duhet të jetë civile, duhet një reagim qytetar ndaj çdo padrejtësie. Nëse nuk funksionon mekanizmi i referimit për dhunën, kjo do të thotë që qeveria nuk po e bën siç duhet punën e saj. Nëse ka protestë civile, i kërkon llogari qeverisë dhe qeveria është e detyruar të raportojë”, tha ajo.

E pyetur për marrëdhëniet me deputetët e LSI, referuar draftit të dërguar në Kuvend nga deputetja e LSI Erisa Xhixho për regjistrin e të dënuarve për krime seksuale, Vokshi mohoi të ketë një marrëdhënie të akullt, duke sjellë si shembull bashkëpunimin e deputetin Petrit Vasili.

“Nuk ka asnjë marrëdhënie të akullt. Unë kam në komisionin që unë drejtoj, z. Vasili me të cilin bashkëpunojmë në mënyrë perfekte, koordinojmë punën në mënyrë perfekte. Ajo çka ne bëjmë flasim vetëm për politikë. Dhe ne po i furnizojmë njerëzit me politikë, foltorja, Berisha, Basha, ndërkohë që ne duhet të bërtasim për shifrat e pandemisë, për nivelin e vdekshmërisë. Kur them ne, po flas për gjithë politikanët. Qytetarët ngopen me atë ushqimin politik dhe nuk dalin të protestojnë. Nuk dalin të flasin për transportin e fëmijëve.
Ministria e Shëndetësisë për show-n e radhës, për dozën e tretë që unë them po duhet bërë, i ka bërë thirrje të gjithë mjekëve të lënë spitalet dhe të shkojnë tek Air Albania. Mendoni që mjekët që duhet t’iu shërbejnë pacientëve janë detyruar të lënë spitalin dhe të shkojnë tek Air Albania, por mjekët duhet të flasin”, tha Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb