Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi dje se do të ketë rritje të pagës minimale, duke përmendur edhe shifra si 900 euro, ndërsa po ashtu tha se pensionistët do të marrin 5 mijë lekë të reja bonus.

Por a janë këto premtime elektorale?

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 me Ola Brukon, ish-ministri i Financave Arben Malaj, u shpreh se parë në këtë linjë, duken si premtime elektorale.

Ai tha se është e rrezikshme nëse nuk dihet burimi nga do të gjenerohen këto para, ndërsa shtoi se tashmë duket se ethet elektorale po mbizotërojnë në qeverisjen e vendit.

“Mbi të gjitha çdo rritje e pagës minimale, apo e pensioneve, është e domosdoshme dhe e dobishme sepse shkon tek shtresat në nevojë. Por duke u bazuar dhe në dokumentet kryesore që qeveriset një vend, në makroekonomi, duket se këto pasa nuk kanë qenë të parashikuara, dhe elementi elektoral dominon mbi përgjegjësinë për ta qeverisur vendin me programe afatmesme. Para se të bësh një rritje, duhet të dish se cilat janë burimet. Nëse në këtë rast janë nga inflacioni i lartë, nuk do kemi një risk nga deficiti. Por për pagat minimale duhet të bëjmë kujdes, sepse nëse i rrisim dhe nuk dimë burimin… nëse rritja vjen nga burime të qëndrueshme, është një rritje e mirë sepse zbut pabarazinë, etj, por nëse vjen nga deficiti është një borxh që i lëmë brezave të ardhshëm.

Të marrësh një vendim pa e diskutuar në Këshillim Kombëtar të Punës… Ethet elektorale duket se kanë nisur të mbisundojnë qeverisjen e vendit”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: