Stërnipi i babait të Pavarësisë Ismail Qemalit shprehet i bindur se stërgjyshi i tij u helmua. Nedim Vlora ka folur në një intervistë për gazetaren Fatmira Nikolli në News24 pasi ka marrë pasaportën shqiptare.

Ndonëse dyshimet për helmimin e Ismail Qemalit, kryeministrit të parë shqiptar janë shprehur vazhdimisht nga historianë dhe studiues, asnjëherë nuk është provuar një gjë e tillë. Por stërnipi i tij tregon rrethanat se si vdiq Ismail Qemali në një hotel në Perugia, Itali dhe se e bazon bindjen e tij për helmimin e stërgjyshit në dokumente dhe telegrame që ka marrë.

“Gjyshja ime dhe babai më kanë treguar për ato kohë, për ato që po ndodhnin, rrethanat historike. Ismali Qemalit italianët i kishin bërë propozime, të cilat ai nuk i kishte pranuar sepse nuk donte t’u jepte asgjë. Madje, kishte bërë kundërpropozime. Italia nuk donte që ai të shkonte ne konferencën e paqes së Parisit, për ku ishte nisur, sidomos si përfaqësues i shqiptarëve. Nga dokumentet që kam marrë, telegramet mes prefektit të Perugias dhe ministrisë, kuptohet që u helmua. Dy fëmijëve të tij që ishin të pranishëm u thanë se ishte goditur nga paraliza, por ai kishte vdekur në fakt. I thanë se ishte iktus, por kur goditesh nga një iktus, të paktën një gisht lëviz, dhe ai nuk po lëvizte. E deklaruan vdekjen një ditë më pas për të shmangur lidhjen. Për mua ka qenë 99 përqind helmim që të mos arrinte në Paris. Sepse Italia kishte firmosur paktin e turpshëm të Londrës dhe do ta kishte si pengesë për qëllimet e veta Ismail Qemalin”, deklaron Nedim Vlora.

I pyetur nëse ka gjetur dokumente që e pohojnë këtë, ai thotë se në mesazhet e shkëmbyera mes prefektit dhe Ministrisë së Jashtme të Italisë flitet për gjendjen shëndetësore të Ismail Qemalit, por ai e interpreton si një frazë “mision i kryer”.

“Dokumente është e qartë se nuk ka. Jam përpjekur të interpretoj telegramet. Është një letër e prefektit që i shkruan Romës, Ministrisë së Jashtme, ku thuhet se janë të dëshpëruar për ta shpëtuar. Ka shijen e frazës, ‘mision i kryer’. Në fakt ai kishte kërkuar të bënte një konferencë për shtyp dhe mund të imagjinohet çfarë do thoshte. Do thoshte që do shkonte të mbronte Shqipërinë në konferencën e Paqes  dhe se po e ndalonin të shkonte. Do të kishte qenë pra një akuzë ndaj qeverisë italiane të kohës. Është folur për shkumë në gojë, dhe simptoma të tjera të iktusit. Nuk është folur kurrë për dhembje të mëdha të barkut, që është  simptomë e helmimit. Është detaj që është eliminuar. Provat janë në rastësitë historike e faktet e momentit”, deklaroi Nedim Vlora në News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb