Presidenti i SHBA, Donald Trump e quajti Korenë e Veriut një “fuqi bërthamore”, dje gjatë inaugurimit të tij në mandatin e dytë presidencial. Trump tha se ai ishte i bindur se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un është i lumtur teksa e sheh atë sërish president të SHBA dhe shefin e Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë konferencës për shtyp në Zyrën Ovale, Trump përmendi Korenë e Veriut për herë të parë që kur u betua si presidenti i 47-të i SHBA-ve. “Kim dhe unë kishim një marrëdhënie shumë miqësore. Më pëlqeu ai, por edhe ai më pëlqen mua. Kaluam shumë mirë. Disa njerëz menduan se ky ishte një kërcënim i madh”, u tha Trump gazetarëve teksa nënshkroi një sërë urdhrash ekzekutivë.
“Ai është një fuqi bërthamore dhe ne kishim raporte të mira. Unë mendoj se ai do të jetë i lumtur të më shohë përsëri”, shtoi Trump.
Rizgjedhja e Donald Trump president të SHBA ka rritur pritshmëritë për një ringjallje të diplomacisë së drejtpërdrejtë midis shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheëqësit të Koresë së Veriut.
Trump dhe Kim u takuan tre herë në vitin 2018 dhe 2019, gjatë mandatit të parë të republikanit.
Është e paqartë nëse referimi i Trump për Korenë e Veriut si një “fuqi bërthamore” sinjalizon një ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit për çështjen e mprehtë të denuklearizimit të Gadishullit Korean. Termi “fuqi bërthamore” është i ndryshëm nga “shtet me armë bërthamore”, i cili përdoret për t’iu referuar Shteteve të Bashkuara, Kinës, Francës, Britanisë dhe Rusisë, të cilat njihen zyrtarisht si zotërues të armëve bërthamore sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Megjithatë, deri më tani, diplomacia amerikane ka shmangur me kujdes konsiderimin e Phenianit një “fuqi bërthamore” për të shmangur çdo horizont të legjitimimit të ambicieve të Koresë së Veriut.
Gjatë një seance dëgjimore për konfirmimin në Senat javën e kaluar, i nominuari për Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, e përcaktoi gjithashtu vendin aziatik si një “fuqi bërthamore”, ndërsa theksoi varësinë e tij nga Rusia në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.
(BalkanWeb)