Gruaja e shoferit të kamionit në të cilin u konfiskuan 400 kilogramë substancë narkotike të llojit kokainë, ka rrëfyer ngjarjen se si është arrestuar bashkëshorti i saj dhe i është bastisur shtëpia.

Ndërsa ka treguar në një intervistë për televizionin ‘Klan Kosova’, momentin kur dhjetëra zyrtarë policorë kanë hyrë brenda për të kryer obligimin e tyre, gruaja e të arrestuarit beson që bashkëshorti i saj është i pafajshëm pasi ai është vetëm shofer dhe nuk e di se çfarë ka brenda kamionit.

Kur zyrtarët policorë po bastisnin, e zonja e shtëpisë ka kërkuar nga ta të kuptojë se cila është arsyeja e kësaj kontrolle, ndërsa burri i cili po qëndronte me pranga në duar, i ka treguar se firma për të cilën punon, ka pasur parregullsi, gjë të cilën e kanë konfirmuar edhe policët në vendin e ngjarjes.

“Dy vetë kaluan për dritare bashkë me burrin, i ranë ziles dy herë i thashë hyn po nuk erdhi, kur dola i pashë disa persona, burrit ia kishin lidh duart, ndërsa mu më thanë a keni diçka të jashtëligjshme i thashë jo, hyni mund të kontrolloni. Rreth 10 persona kontrolluan të gjitha dhomat, mua më thanë ulu dhe më pyetën sa para i ke, i thashë 400 euro aq sa i ka pru djali prej rrogës që ka marrë. Pyetën se ku e kam dukatin, ia tregova, nisën me kontrollu por nuk e disha pse po ndodhë kjo, i pyeta dhe njëri nga ta më tha se ligj e kanë. Nuk kanë lënë vend pa kontrolluar në shtëpi… kur zbritën shkallëve në korridor, i pyeta se gjithë këtë kontroll e keni bërë, burri i ka duart e lidhura, a nuk bën unë si gruaja e tij ta dijë arsyen? Burri tha se unë flas veç një fjalë, e kanë zënë firmën gabim dhe për atë kanë ardhur të kotrollojnë. Ata e konfirmuan këtë gjë duke thënë se ai është shofer dhe e kemi për detyrë që ta kryejmë këtë kontroll”, ka thënë ajo.

Bashkëshortja e drejtuesit të kamionit ku është gjetur droga, beson se burri i saj është plotësisht i pastër në këtë rast, ndërsa thotë se për punën që ai bën nuk ka rrogë fikse, por paguhet nga 80 euro.

“Përsëri hynë nëpër dhoma dhe kontrolluan nëse çdo gjë është në rregull, ndërsa më pyetën nëse kam vërejtje për sjelljen e tyre. Unë jam 100 për qind e sigurt se burri është i pastër në këtë punë, pasi që ai punën që e bën e ka rrogë, nuk është marrë me vepra të këqija, ndërsa rrogë fikse nuk ka pasur, është paguar nga 80 euro për bartje”, ka treguar ajo.

“Ky veç shofer është, çkado që ngarkohet aty, burri nuk e di. Ai tani po qëndro në Podujevë, vajza ka shkuar deri aty për t’i dhënë diçka, por që nuk i është lejuar të hyjë brenda”.

“Nëse punojnë drejt, unë jam shumë rehat, e nëse punojnë me dallavere nuk e di se çfarë të besoj”.

Të hënën e 17 majit autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me ato të Shqipërisë dhe Italisë, kanë arrestuar shtatë persona – shtetas kosovarë në Lipjan, për posedimin e 400 kilogramëve të lëndës narkotike të dyshuar për Kokainë, gjë që dyshohet se ka arritur nga Brazili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb