Opozita nuk e mori mesazhin e votuesve në 14 maj. Të atyre që nuk dolën në votime dhe jo vetëm. Pra nuk po e kthen veten në një alternativë frymëzuese.

Sali Berisha nuk njeh përgjegjësi tek vetja apo partia e tij. Deklaron se Rama i vodhi zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë. Patjetër që askush nuk mohon shit-blerjen e votës, kërcënimet për vendin e punës, përdorimin e administratës, etj, por a mjaftojnë këto arsye për të justifikuar humbjen katastrofike?

Pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit deputetët e PD i kërkuan Bashës dorëheqjen. Dhe shumë mirë bënë, sepse ajo dorëheqje duhet të kishte ardhur së paku pas zgjedhjeve të 2021-it, por jo, të gjithë shkuan dhe e votbesuan Bashën në krye të PD-së pas humbjes së zgjedhjeve.

Këta deputetë nuk i kërkojnë Berishës dorëheqjen, siç bënë me Bashën. Por të gjithë fshihen pas fjalëve, “na vodhi Rama”, njësoj siç bëri Basha pas zgjedhjeve të 2021-it.

Njeriu ka një dinjitet. Ka një ndërgjegje. Ka përgjegjësi, sidomos kur kryen funksione publike. Dhe të gjithë deputetët e PD, duhet të tejkalojnë Berishën dhe Bashën si violinë e pare dhe të dalin si një alternativë ndryshe përpara qytetarëve. Berisha e Basha mund të jënë pjesë e skuadrës, por jo në vijën e parë. Aty të dy kanë marrë kosto, nuk frymëzojnë dhe nuk mund ta mundin Ramën. Dhe për t’ia thënë këtë Berishës dhe Bashës duhet guxim. Guxim ose e ke, ose nuk e ke.

Sali Berisha ka qeverisur 8 vite. Mori 1 milionë vota kundër. Përgjigjja e shqiptarëve është e qartë. Ata që të votuan me kaq vota kundër, nuk të votojnë që t’i të vish në pushtet në 2025-ën.

Sikundër Lulzim Basha nuk do mundet asnjëhërë të bëhët Kryeministër, pasi nuk frymëzon. Mundësia e tij e fundit ishte 2021, kur pranë kishte edhe Sali Berishën. Të dy bashkë se mundën Edi Ramën dhe veç e veç as diskutohet.

Lulzim Basha nuk futi partinë në zgjedhje në 2019, e po ashtu udhëhoqi djegien e mandateve, kosto këto që do paguhen edhe në vitet në vazhdim nga opozita.

PD-ja zyrtare pati një mundësi të mirë për të ndërtuar, siç thoshin ata, një frymë ndryshe. Por votimi i fundit në Kryesinë e Partisë, i hapi rrugë kthimit të Lulzim Bashës në krye të logos zyrtare.

Teksa opozita thellon akoma krizën mes veti, e ardhmja e Shqipërisë është në rrezik. Ikjet vazhdojnë. Profesionistë si mjekë, infermierë, ekonomistë, kuzhinerë, etj, po ikin. Kjo pasi opozita nuk është alternativë e besueshme dhe frymëzuese për të qeverisur. Sepse opozita shqiptare është duke u marrë me hallet e veta, është duke harxhuar energji me sulme ndaj vetes, teksa qeveria Rama po mbytet në korrupsion, në çdo nivel të qeverisjes.
Askush nuk merret se çfarë po ndodh me studentët, askush nuk merret me çfarë po ndodh me spitalet, askush nuk merret të kuptojë se çfarë po ndodh me familjet në nevojë. Kontakti me njerëzit ka humbur prej problemeve të brendshme.

Nuk ka frymë në opozitë. Nuk ka energji. Ka vetëm luftë të brendshme. Njerëzit nuk besojnë më. Prandaj ikun. Nuk lidhet vetëm me qeverisjen Rama, por edhe me çfarë ofron opozita. Dhe aktualisht nuk ofron asgjë. Situata aty është kthyer si ato biletat e telebingos që pasi e gërvisht, lexon: “Provo përsëri”.

Prandaj nevoja kombëtare për një ALTERNATIVË E RE është URGJENTE. Shqipëria nuk e ka më luksin të humbë kohë më një opozitë që nuk frymëzon.

Shqipëria ka shumë njerëz dinjitozë, të rinj të cilët munden të japin nga vetmja për të luftuar për këtë vend.

Shqipëria ka nevojë për idealizëm, që tek politika e 30 dekadave, ka vdekur.
Nevoja është urgjente që të rinjtë, të cilët nuk votojnë të marrin pjesë në votime. Ata nuk votojnë Edi Ramën, që po i detyron të largohen. Nuk votojnë më as Sali Berishën, Lulzim Bashën apo Ilir Metën.

Prandaj kërkohet një aleancë e fortë mes njerëzve dinjitozë të këtij vendi, atyre që nuk përfaqësojnë interesa, që duan të japin një kontribut për këtë vend dhe të kthehen në një alternativë. Betejet nuk dhurohen, ato kërkohen e fitohen.

Është trishtim që për tre dekada në jemi një nga vendet më të varfëra të Europës. Por më shumë se trishim, është edhe faji i një brezi i cili vazhdon akoma të qëndrojë jashtë politikës, jashtë vendimarrjes dhe ka lejuar brezin e 90-ës të vendosë për të ardhmen e tyre. Koha është e një ALTERNATIVË të re, një FRYMË të re. Dhe koha është tani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: