Në intervistën ekskluzive për “News24”, ministry Arben Ahmetaj sqaroi bizneset si do të përfitojnë nga paketa e publikuar mbrëmjen e kaluar nga kryeministri Edi Rama.

Ahmetaj tha se qeveria ka dhënë garanci sovrane prej 100 milionë dollarësh, që do të thotë se të gjitha bizneset mund të paraqiten në banka si klientë me risk zero dhe të kreditohen me interesa të ulëta për të paguar pagën bruto të punonjësve të tyre.

Pjesë nga intervista:
Si do t’i marrin paratë bizneset?
Instrumenti i parë është ai i garancisë sovrane me 100 milionë dollarë. Qeveria firmos një garanci, që iu garanton të gjithë bizneseve, që të trokasin te dera e bankës si një klient me zero risk dhe kreditohet me interesa të ulëta, për të paguar pagën bruto të punonjësve të vet. Instrumenti është për të gjitha bankat në Shqipëri dhe funksionon që nga dita e martë, se e hëna është pushim. Cdo sipërmarrës për bankën është me risk zero, se e ka garantuar qeveria.

Cdo të thotë me risk zero?
Një sipërmarrës në një kohë normale shkon te dera e bankës, kjo e fundit hulumton sa i besueshëm është, i kontrollon financat. I gjithë ky diskutim bie poshtë, pasi e ka garantuar buxheti i shtetit. Kjo është periudha më e vështirë që po kalon Shqipëria. Masa e dytë është 120 milionë dollar nxjerr buxheti i shtetit, një pjesë për biznesin e vogël, një pjesë për shëndetësinë dhe një pjesë për emergjencat civile. E gjitha kjo është një paketë humanitare. Ka dhe një 10 milionë dollar, brenda paketës, për të papriturën e ditës. Ne presim të papritura që nuk i presim kurrë.

Po shpërndarja e lekëve të njerëzit në nevojë si do të bëhet?
Ne kemi krijuar një Task Forcë, dhe do të vendoset ditët në vijim si do të bëhet shpërndarja. Do verifikohet numri i të papëunëve.

Kam një biznes, që e mbylla se ma kërkuat ju, si ta paguaj qiranë, të marr kredi?
Nuk paguan njeri qiranë, kreditë janë për pagat. Jemi në luftë dhe në luftë sigurisht shkohet te sigurimi i bazikes. Po flasim për ndërhyrje në nivele për të mbështetur deri te paga minimale, ose një pagë e gjysmë. Ky biznes është pjesë e kategorisë që do të mbështetet.

Po ne gazetarët ku hyjmë?
Ju do iu lutem të ruani shëndetin si ne. Gjysmën e rrogës ta hidhni te fondi i solidaritetit, nëse s’e bëni këtë, të paktën mos përhapni panik. Nëse ua do zemra gjysmën e rrogës jepeni për shëndetësinë.

Disa gazeta nuk dalin fare në shtyp?
Siç e dëgjuat kryeministrin, keni pafund internet. Kjo situatë ka gjunjëzuar globin, jo më ekonominë tonë të brishtë, që sa kishte filluar të ngrihej. Themi “flamë”, por është më keq, dhe ne shpresojmë të mos kalojmë te plani B.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb