Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i ftuar në emisionin Log. në News24, u shpreh se Edi Rama dhe Sali Berisha e kanë ndërtuar vetë sistemin dhe kjo që ndodhi në zgjedhjet e fundit pritej.

Sipas Topit, opozita humbi, por vetë Sali Berisha fitoi, sepse e dinte se përballë Edi Ramës nuk mund të fitonte, sepse është ndërtuar sistemi i tillë, është një marrëveshje që ka nisur që në vitin 2008.

Bamir Topi: “Mendoj që ata që merren me politikë nuk kanë asnjë ndryshim në perceptimin e situatës. Nuk është se unë bëj përjashtim nga ata që janë në lojë. Ata e dinë shumë mirë, kanë ndërtuar një sistem dhe ca rregulla loje që të çojnë në këtë lloj rezultati. Kur them ata e dinë, e di Edi Rama dhe Sali Berisha. Nuk ka gjë më të keqe për një njeri që përfaqëson 500 mijë njerëz. Së paku në votimet e fundit u dëshmua që Berisha me koalicionin përfaqëson 500 mijë votues. Është një shifër e jashtëzakonshme në kushtet e popullsisë së Shqipërisë.

Nuk ka gjë më të keqe kur ti i fut këta njerëz në një lloj sugjestioni, që ejani ne betejë se ne do të fitojmë. Ka pasur deklarata të qarta që lidheshin me sigurinë e votës, me programin që do ti çojë drejt fitores, me mbështëtjen ndërkombëtare. Pra nga e gjithë kjo retorikë politike opozita mori një humbje, por vetë Sali Berisha mori një fitore. Berisha e dinte shumë  mirë që fitore me Ramën përballë nuk mund të realizojë. Kështu siç është ndërtuar sistemi nuk mund të realizohet. Por ajo ka marrë përsipër dy gjera, ka ndërtuar sistemin bashkë me Ramën dhe është rikthyer në krye të opozitës për ti dhënë shpresë për rotacion politik.

Informacioni është se këta të dy e kanë bërë në vazhdimësi marrëveshjen, nuk është vetëm ajo e 2008-s. E keni dëgjuar ndonjë Berishën të jetë penduar ndonjëherë për 2008-ën?”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb